Na ndiqni edhe në

Opinione

Si do jenë shqiptarët e vitit 2050!

Si do jenë shqiptarët e vitit 2050!

Nga Roland Qafoku

Nuk ka nevojë të kesh në dorë një sferë të kristaltë falli për të parashikuar se si do të jenë shqiptarët në vitin 2050. Në rrëmujën që është mbërthyer bota mjafton të vështrosh me kujdes rregullin që na ka ndjekur: Të njohim dhe të kuptojmë të kaluarën për të parashikuar të ardhmen, tendencat dhe teknogjinë. Në ndihmë na vjen ideologu i Rilindjes Kombëtare Sami Frashëri. Parafytyrojmë për një moment sikur po jetojmë në vitin 1899 kur ai si një nga etërit themelues të kombit shqiptar, shkroi me gërma të arta në gjuhën shqipe kryeveprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë” që ishte njëkohësisht edhe një manifest i Rilindjes Kombëtare.
Shkroi Sami Frashëri në kryeveprën e tij:

“Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë, kemi të drejtë në dhet t’Evropës më tepër se çdo komp. Këtë të drejtë të shënjtuarë shqiptarëtë janë të zotë ta ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë. Kur përzjehetë e drejta me fuqit, merr forcë. Shpëtimi a humbja e Shqipërisë është në dorë të të shqipatërvet”. (faqe 72).

E vërteta është se kjo u arrit. Shqiptarët shpëtuan kombin e tyre dhe themeluan shtetin shqiptar. Por ama kjo u arrit duke lënë jashtë gati gjysmën e territoreve. Shteti shqiptar i themeluar më 28 nëntor 1912 dhe e konfimuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913 nuk e realizoi të plotë ëndrrën e shqiptarëve.

Por në vitin 2050 si do jenë shqiptarët?

Në vijojmë të kemi si armën më të fortë se jemi kombi më i vjetër në Evropë dhe kombi më properëndimor në të gjithë kontinentin. Kemi krijuar dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën dhe në dy dekadat e fundit fuqia specifike e shqiptarëve në Ballkan është rritur ndjeshëm. Por a është zgjidhur një herë e përgjithmonë çështja shqiptare me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt 2008? Gjasat janë që në vitin 2050 Shqipëria do të jetë bërë anëtare e BE. Duke i atashuar asaj edhe anëtarësimin në NATO të arritur në 1 prill 2009, bëjnë që pas kaq e kaq vitesh, dekadash dhe shekujsh, shteti amë të jetë i barabartë mes kombeve të Evropës.

Por a do të jetë në të njëjtin hap edhe shteti i Kosovës? A do të jetë pranuar edhe Kosova në familjen evropiane? Besohet se edhe kjo mund të jetë arritur. Përpjekjet e shqiptarëve në shtetin e dytë do të jenë të tilla që të rendë pas shtetit amë dhe kjo do ta bëjë Kosovën në një të ardhme të jetë në të njëjtën familje ku ndodhet edhe Shqipëria.

Parashkimi i dytë i Sami Frashërit lidhej me të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për atë që quhet rreziku i asimilimit. Shkroi Sami Frashëri në kryeveprën e tij;
“Mëmëdheu yn’ i dashur nuk ron dot edhe shumë kohë kështu si është sot; A do të humabsë për jetë e nukë do të mbesë as shqiptar e as Shqiëpri, a do të shpëtonjë e të ndërtohetë me një mëndyrë që të mos ketë shëmbëllë në jetët e ti kenë zili gjithë kombet e dheut. Të shpëtuarit a të humburit e Shqipërisë është në dorë të shqiptarëvetë, në daçinë, a do të shpëtojnbë në daçinë do ta humbasinë”. (faqe 73)

Edhe pse gjatë shekullit të 19-të dhe 20-të vargje-vargje shqiptarët u larguan nga toka mëmë për t’i shpëtuar represionit dhe skamjes. Por më keq akoma, një pjesë e madhe u dëbuan, një pjesë e u shkëmbyen mes Greqisë dhe Turqisë, një pjesë u asimiluan. E megjithatë, përsëri shqiptarët mbijetuan dhe nuk u zhdukën.

Tashmë edhe pas më shumë se një shekulli përsëri ka dalë si rrezik kombëtar një formë e re asimilimi. Armiku më i madh i shqiptarëve në të dy shtete do të jetë largimi dhe emigrimi për në shtetet perëndimore të Evropës kryesisht në Gjermani dhe në SHBA. Një plagë që nisi një dekadë më parë dhe do të vijojë të kullojë gjak duke boshatisur trojet e kombit dhe duke bërë që si Shqipëria dhe Kosova t’i ngjajnë orës me rërë.

Por si do të jenë shqiptarët në vitin 2050?

Historia me shqiptarët përsërit veten. Zgjidhja dhe shpëtimi do të vijë përsëri nga diaspora. Parashikimi është se vargjet e shqiptarëve që u larguan nga tokat e tyre do të kthehen në shtëpitë e tyre. Në vitin 2050 do të ketë përfunduar procesi i ngopjes nga turistët e huaj që zbuluan parajsën në tokë, ndërsa shqiptarët do të kenë kuptuar se janë ata dhe vetëm ata zotër të bukurisë natyrore që na ka falur Zoti. Bregdeti dhe riviera por edhe turizmi malor do të jenë të banuar nga bijtë, bijat, nipërit dhe mbesat e atyre që u larguan për një jetë më të mirë. Por që lanë pas në deje dashurinë për tokën e të parëve. A nuk ndodhi kështu edhe me shqiptarët e Amerikës në fillim të shekullit të kaluar. Vetëm në momentin kur Fan Noli në qershor 1924 u bë kryeministër lanë Amerikën 6 mijë shqiptarë dhe u kthyen në atdhe. Kjo kërkon që në krye të vendit të ketë njerëz që frymëzojnë, të ditur, të arsimuar në universitetet më të mira botërore si Harvardi i Fan Nolit. Dhe doemos kjo do të ndodhë.

Po si do jetë raporti i shqiptarëve me fqinjët?

Si do të jetë raporti i shqiptarëve me serbët, grekët, malazezët, maqedonasit? Për fat të keq gjeografikisht shqiptarët janë të paketuar mes grekëve në Jug, serbëve në Veri, malazezëve në Veriperëndim dhe maqedonasve në Verilindje. Të gjithë së bashku jo vetëm kanë treguar armiqësi, por kanë hartuar platforma të mirëfillta për zhdukjen e shqiptarëve. Janë këto shtete që nga rreth 100 mijë kilometra katrorë troje kanë lënë 28 mijë në shtetin shqiptar dhe 11 mijë kilometra katrorë të shtetit të Kosovës. Pjesën tjetër të trojeve shqiptarët e kanë bërë të tyre, kanë asimiluar në masë popullsitë e atyre dhe prej më shumë se një shekulli “ngrohen” nën rregullin modern të mos ndryshimit të kufijve. Megjithatë shqiptarët e Luginës së Preshevës, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut mbijetuan duke patur për bazë familjen dhe flamurin kuq e zi.
Shkroi Sami Frashëri në kryeveprën e tij:

“Qëllim i vetëm i shqiptarëvet është të ruajnë Shqiëprinë të mos copëtohetë prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigavet t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit e gjuhëve e të mendimevet të Greqet e të Shqehet, të cilat po i rëmojnë themelet e po i nxjerinë rënjëtë Shqipërisë dhe shqiptarisë”. (faqe 77)

Po si arrihej kjo? Shkroi Sami Frashëri në kryeveprën e tij:

“Më parë e këtyre është gjuha: s’mund të ketë Shqëiëpri pa shqiptar, smund të ketë shqiptar pa gjuhë shqip, pa shkronja shqipe e pa shkolla, në të cilat mësohet shqipja. Çdo shqiptar të mësonjë më aprë të shkruanj’ er të këndojë shqip, pa pastaj gjuhër atë tjera. E dyrta është kisha, të shpëtohenë shqiptarëtë nga xgjedha e priftëriusë së Greqet, të bullgarëvetë e të serbëvetë e të kenë kishën e tyr eme priuftër shqiptarë e me ungjill shqip, se Krishti s’ish as grek as shqah.” (faqe 77)

Po shqiptarët e vitit 2050?

Është e çuditshme por edhe pas më shumë se 100 vitesh përsëri gjuha shqipe del si një imperativ kombëtar. Sipas një raporti të fundit të revistës “Monitor” pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare nuk është në gjendje të lexojë apo shkruajë një deklaratë të thjeshtë dhe ta kuptojë. Prandaj, së pari për mësimin dhe perfeksionimin e saj në shkollat në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Lugina e Preshevës. Por edhe më shumë në diasporë. Shqiptarët duhet ta trashëgojnë gjuhën shqipe si thesarin e tyre më madh dhe si elementin më bashkues në histori. Vetëm kështu ata do mbajnë të ndezur flakën e patriotizmit. Gjasat janë që ajo që është kthyer në traditë ndër shekuj do të vijojë të jetë përsëri kështu dhe fëmijët e fëmijëve të brezit të sotëm do të vijojnë të mësojnë shqipen, këtë gjuhë hyjnore që e flisnin perënditë siç e përcaktonte Naim Frashëri. Por edhe si një testament të të parëve të shprehur aq bukur nga Gjergj Fishta: Mallkue qoftë njai bir shqiptari/Qi ktë gjuhë të perëndisë/Trashëgim që na la i pari/Trashëgim s’ia len ai fëmisë.

Si arrihen të gjitha këto?

Ideologu Sami Frashëri kishte përherë një zgjidhje në testamentin e tij. Ai shikonte qeverisjen si nënën e të gjitha zgjidhjeve. Shkroi Sami Frashëri në kryeveprën e tij:
“Po për të bërë këto, duhetë të qendronjë qeveri e sotme, e të vihet në qeveri mëmëdhetare, një qeveriqë të punojë pas nevojës e pas të drjetave të shqiptrëve. Një qeveri shqipëtare me sy hapurë, jo qeverie huaj e verbërë si kjo që ëhstë sot. Të jetë një qeveri si duhetë, pa le të ketë çemër të dojë. Kjo ësstë qëllimi i shqiptarëvet”. (faqe 78)

Dhe duhet të parashikojmë në 2050? SHBA po krijon rrëmujë në të gjithë botën por ky duket si një kaos kalimtar. Duket sikur SHBA po i braktis shqiptarët, por sa e sa herë është thënë kështu në shekullin e fundit dhe përsëri amerikanët kanë qenë këtu? Fjalët e dala nga goja e sekretares së Shtetit Hillary Clinton më 1 nëntor 2012 mbeten profeci: “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të Pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”.

Si do të jenë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Si do të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës? Si do të jenë shqiptarët e Malit të Zi?

Këtu e ardhmja pak lidhet me ato që kishte shkruar Sami Frashëri. Ideologu e shkroi librin kur SHBA ishte izolacioniste. Nuk kishte dalë nga kufijtë e saj dhe nuk i interesonte Evropa. Por shekulli i 20-të solli mrekullinë që SHBA u bë jo vetëm e interesuar por ishte ajo që diktoi dhe ndikoi në zgjidhjen e çështjeve të Evropës dhe gjithë globit. Fati ynë ishte që si shtetin shqiptar e konfirmoi në Konferencën e Paqes në 1919 dhe shtetin e Kosovës në 2008 e themeloi ajo. Ndonëse është duke kaluar tallaze të forta me administratën e presidentit Donald Trump pak besohet se qendrimi i SHBA do të ndryshojë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. SHBA mbeten ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht vendi më i fuqishëm në botë dhe nuk kanë asnjë sfidant të vërtetë kundrejt kësaj fuqie. Akademiku Britanik Halford John Mackinder, një nga baballarët themelues të gjeopolitikës dhe gjeostrategjisë ka thënë:
“Kush sundon Evropën Lindore (evropën ruse) komandon qendrën e Evropës. Kush sundon Qendrën, komandon Botën-Ishull (Euroazinë). Kush komandon Botën-Ishull komandon gjithë botën”.

Dhe SHBA e madhe i zotëron të gjitha këto. Kontrolli mbi detin është i barabartë me komandimin e botës dhe pozita gjeografike e Shqipërisë mbetet përherë mikluese. Një parashikim në formë studimi vjen nga futurologisti amerikan George Friedman me librin bestseller “100 vitet e ardhshme” që parashikoi tendencën e shumë ngjarjeve të shekullit 21. Duke parashikuar një luftë që në fakt ndodhi në Ukrainë Friedman rezulton nga më të saktët në këtë fushë.

Shkroi George Friedman:

“Jugosllavia ka qenë një kafaz për rivalitete e vjetra në evropë. Ballkani përherë ka qenë një vatër zjarri. Ballkani ka qenë rruga e romakëve për të shkuar në Lindjen e Mesme dhe rruga e turqve për në Evropë”. (faqe 66)

Shqiptarët si pjesë e dy klubeve më të mëdha, ai ushtarak NATO dhe ai i BE nuk rrezikon të dalë jashtë orbitës amerikane dhe Evropës Perëndimore.

Pas kësaj tallazie është po Friedman që parashikon se mesi i shekullit të 21 do të jetë ajo që ai e quan epoka e artë. Konflikti dhe gara mes fuqive të mëdha ka mbaruar dhe bota do të shkojë në një qetësi. Nuk bëjnë përjashtim edhe shqiptarët. Pas tallazeve që kaluan ndër shekull dhe veçanërisht edhe në shekullin e 20-të mesi i shekullit 21 do të jetë edhe për ata epoka e artë.
Sami Frashëri nuk pati fat ta shijonte themelimin e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912. Vdiq 8 vjet përpara asaj që ai e parashikoi si hedhjen e rrënjëve të shtetit shqiptar. Dhe ajo nuk rezultoi një ëndërr në diell. Vëllai i tij Naim Frashëri shkroi atë që ne sot e quajmë më shumë se sa një profeci: Lum kush të rronjë, ta shohë zonjë. Shqiptarët po jetojnë epokën e tyre./dritare/net