Na ndiqni edhe në

Opinione

Shiu dhe balta që na shoqëron përditë!

Shiu dhe balta që na shoqëron përditë!

Nga Namir Lapardhaja

Për ata që e kanë lexuar vazhdimisht Mero Bazen si publicist dhe gazetar, ndofta është e vështirë ta ‘pranojnë’ atë si poet, mirëpo, siç edhe vetë Mero e pranoi në promovimin e librit, ai nuk synon atë poezi që shkruan në ‘vete dhe për vete’, por beson te poezia që e merr shtysën nga realiteti, nga një ngjarje konkrete dhe nga një përjetim i çastit apo i momentit. Diskutimi nëse arti duhet të imitojë realitetin apo e kundërta, është një debat i kahershëm, që shkon përtej kësaj analize poetike, ndaj më poshtë do të më duhet të ‘operoj’ mbi premisën se poezia nuk krijon një realitet paralel apo të mbivendosur, por ajo e merr ‘ngacmimin’ nga jeta e përditshme duke e rikrijuar atë me ‘mjetet’ e saj, ndërsa mjeshtëria e poetit në këtë rast është aftësia e tij për ta ‘lexuar’ botën dhe jetën sipas optikës së ndjeshmërisë së botës së tij të brendshme, një mekanizëm i fshehur brenda qenies që ndonjëherë edhe vetë krijuesi nuk ka aftësinë e duhur për ta përshkruar se çfarë ndodhë dhe se si ndodhë një gjë e tillë.

Poezia “Shi me Baltë” prej së cilës e merr titullin e gjithë përmbledhja poetike është jo vetëm përfaqësuese dhe dëshmuese e një shqetësimi të brendshëm njerëzor, por e ngritur mbi simbolikën e baltës dhe të shiut, ajo duket se pranëvë përballë dy elemente të përditshmërisë të përkundërt me njëri-tjetrin (balta që lahet prej shiut), të cilët në këtë poezi nuk kryejnë funksionin e tyre primar. Ata zëvendësojnë njëri-tjetrin, ku shiu shërben si ndëshkrim nga lart për ata njerëz që kanë pritur të lajnë baltën.

Në fakt, nga lart nuk vjen asgjë tjetër vetëm se baltë në formën e shiut.

“Shi me baltë bie rrugëve të Tiranës,

Një shi si ndëshkim nga lart

Për njerëzit që prej kohësh e prisnin,

Të laheshin nga kjo baltosje e gjatë.”

Atmosfera që përshkruan kjo poezi është gri, ndërsa shiu që bie në kryeqytet nuk është as shiu i romantikës, as i dashurisë, as i meditimit për të shkuarën, por është një shi që i bën njerëzit të fshihen pas çadrave si struci, sepse balta ‘morale’ dhe ‘sociale’ i bën të gjithë njëlloj pis, pavarësisht pritshmërive apo pretendimeve për veten.

Nëpërmjet vargjeve të tij, poeti vë në dukje se të gjithë janë prekur nga pislliku i baltës: “Të gjithë baltosur njëlloj nga ky shi,/ Të gjithë pis njëlloj si rrugët nga përmbytjet.”

Madje, edhe fëmijët që zakonisht do duhet të ishin të pastër dhe të përjashtuar nga ‘baltosja’ shoqërore, poeti i krahason të baltosur njëlloj si burokratë zyre apo të bërë pis si prindërit e tyre.

“Nxënës që vrapojnë me libra në shkollë

Baltosur njësoj si burokratë zyre.

Fëmijë syqeshur, të dëlirë si drita

Bëhen pis njësoj si prindërit e tyre.”

Sepse balta që bie nga lart në formën e shiut, nuk kursen askënd, madje as “priftërinjtë të heshtur që luten në zot,/Nuk shpëtojnë dot nga kjo baltosje”.

Ky përshkrim i shiut që mbulon gjithçka, duke mos kursyer as fëmijët dhe priftërinjtë, ngjashëm me vrasësit gjakftohtë që u fshihen njerëzve në makina luksoze tërë baltë, është një klithmë ulëritëse për një rënie të thellë morale të cilën shoqëria shqiptare është e destinuar ta përjetojë, pa kursyer askënd, madje as unin poetik. Si për të mos mjaftuar ky peizash i zymtë që ndot gjithçka, nëpërmjet ironisë poeti duket se do ta shpëtojë lexuesin nga ‘kurthi’ që vetë i ka ngritur, ndaj, si për t’u shfaqjësuar dhe për ta hedhur tej këtë baltë që ka përfshirë gjithçka, njerëzit për një moment duke dashur të shpëtojnë dhe të shfaqësohen, ngrenë sytë lart për të parë se kush po i ndot dhe i bën pis.

Në fakt, nuk kanë guxim ta ngrenë kokën më parë, kur balta binte në formën e shiut dhe kur të gjithë nxitonin të strehonin kokën ‘si struci’, por e bëjnë një gjë të tillë pikërisht tani kur s’ka më baltë që bie nga lart, edhe pse të gjithë janë bërë pis nga këmbët te koka.

“Një qytet i tëri nën këtë shi balte,

Mu kur mendonte se s’kishte më baltë.

Të gjithë bërë pis nga koka në këmbë

Shikojnë të çuditur kush i ndyn nga lart.”

E gjithë ngjarja poetike në këtë poezi ‘zhvillohet’ në Tiranë, e cila nuk shërben thjesht si një toponim, por më shumë se sa kaq ajo është personifikim që karakterizon një shoqëri të tërë, e cila jo vetëm që nuk shkëputet prej baltës, por edhe kur gjithçka pushon, ngre sytë për të parë lart, për të gjetur ‘fajtorin’, për të vënë gishtin dhe jo për të parë nga balta e vet apo për të këqyryr vetveten me sy kritik në mënyrë që të përmirësohet në të ardhmen.

Vargjet e fundit përforëcojnë idenë e padijes dhe të shfajësimit për atë që ka ndodhur dhe për atë që vijon të ndodhë, ku askush nuk e di se kush e ka hedhur atë pluhur balte mbi kokë, por që, pavarësisht kësaj, ka shërbyer për ta fëlliqur atë qytet si kurrë më parë.

“Askush s’di më kush e solli këtë pluhur,

Askush s’di më, kush na e hodhi mbi kokë.

Por di që shiu rrallëherë është keqpërdorur

Për ta fëlliqur këtë qytet kështu si sot...”

Poezia “Shi me Baltë” ka një strukturë të lirë, vargje që ndjekin një formë të shtrirë në gjashtë strofa, që nuk kanë një rimë të rregullt, duke pasqyruar brenda një gjendje të lirë, por të paqëndrueshme, që është e natyrshme për atmosferën e një zymtësie të trishtueshme për të cilën është shkruar poezia, madje duket sikur ritmi i kësaj poezie është përdorur me kujdes për të përforcuar ndjenjën e një ngërçi të përbashkët që është më tepër se mbytës, pa gjetur një strukturë të rregullt, të cilën poeti kurrsesi nuk mund ta vendoste në këtë tekst poetik.

Këtë poezi do të dëshiroja ta lexoja si një reflektim mbi problemet shoqërore, mbi ndotjen morale dhe mbi hipokrizinë që prej çdo individ të shoqërisë sonë.

Autori ka përdorur shiun dhe baltën si dy simbole të gjendjes së ndotur për të treguar se, pavarësisht përpjekjeve individuale, të gjithë janë pjesë e një sistemi që mbetet i njëjtë dhe i pandryshuar nëse të gjithë nuk do të bëjnë përpjekje për ta ndryshuar, duke filluar së pari nga vetja.

Shi me Baltë

Shi me baltë bie rrugëve të Tiranës,

Një shi si ndëshkim nga lart

Për njerëzit që prej kohësh e prisnin,

Të laheshin nga kjo baltosje e gjatë.

Tani fshihen pas çadrave si struci

Nëpër rrugica që shmangen nga udhëkryqet.

Të gjithë baltosur njëlloj nga ky shi,

Të gjithë pis njëlloj si rrugët nga përmbytjet.

Nxënës që vrapojnë me libra në shkollë

Baltosur njësoj si burokratë zyre.

Fëmijë syqeshur, të dëlirë si drita

Bëhen pis njësoj si prindërit e tyre.

Vrasës gjakftohtë që u fshihen njerëzve

Janë gjithë baltë në makinat luksoze.

Priftërinj të heshtur që luten në zot

Nuk shpëtojnë dot nga kjo baltosje.

Një qytet i tëri nën këtë shi balte,

Mu kur mendonte se s’kishte më baltë.

Të gjithë bërë pis nga koka në këmbë

Shikojnë të çuditur kush i ndyn nga lart.

Askush s’di më kush e solli këtë pluhur,

Askush s’di më, kush na e hodhi mbi kokë.

Por di që shiu rrallëherë është keqpërdorur

Për ta fëlliqur këtë qytet kështu si sot.../dritare.net