
Rudina Magjistari: Kanceri nuk është metaforë! Vetëm ata që e kanë në trup e dinë sa vuajnë
Dritare.net
Moderatorja Rudina Magjistari shprehet se përdorimi i kancerit në kontekst figurativ si metaforë për diçka që duhet luftuar, eklipson vuajtjen reale të njerëzve që e përjetojnë në lëkurë.
Magjistari bën thirrje për më shumë kujdes në terminologji dhe të tregohemi më empatikë e të ndjeshëm.
Rudina Magjistari: Në diskursin publik ndiej herë pas here që personazhe publikë, të njohur, e përmendin ndonjëherë me dëshirën për të folur sa më bukur nga ana figurative, letrare dhe e marrin sëmundjen e kancerit si një shembull për të përshkruar diçka tjetër. Nuk janë duke folur për sëmundjen, por i referohen për të përshkruar një problem tjetër për të cilin janë duke folur, për një situatë të caktuar dhe e krahasojnë me kancerin.
Është e njëjta gjë siç ndodh edhe me autizmin kur zakonisht është përdorur termi diskriminues për autizmin kur dikujt i thuhet autik në mënyrë totalisht të pandjeshme, e njëjta gjë ndodh edhe me terminologjinë për sa i përket sëmundjes së kancerit. Pra je duke iu referuar një problemi dhe thua që “ky është një problem që duhet zgjidhur sepse…”, në kuptimin figurativ, “metastazat e tij janë shtrirë kudo në shoqërinë kudo, është një kancer i vërtetë që duhet luftuar”.
Unë mendoj se duhet hequr dorë nga kjo lloj retorike sepse është një formë bullizimi, është një mungesë totalisht ndjeshmërie me ata që janë duke e jetuar dhe kaluar sepse vetëm ata e dinë se çfarë do të thotë të kesh kancer në trup dhe të luftosh me të. S’mund të përdoret kjo fjalë kaq lehtë, kaq pa ndjeshmëri dhe pa kriter për çfarëdo lloj situate që nuk ka fare lidhje me sëmundjen.
Mendoj që këtë duhet ta kemi në kujdes dhe në vëmendje të gjithë për të mos e marrë dhe për të mos krahasuar asgjë me këtë lloj sëmundje, siç me asnjë sëmundje tjetër. Është minimumi i empatisë dhe ndjeshmërisë që secili duhet të tregojë./M.K-dritare.net

















