
Protesta për UÇK-në ndez debat mes Vetëvendosjes dhe Edi Ramës
Dritare.net
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur përkrahjen për protestën që do të mbahet të premten në Tiranë, e cila kërkon drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Por në një reagim në Facebook, Vetëvendosje ka kujtuar se që nga themelimi i Gjykatës Speciale është shprehur kundër saj, duke e konsideruar të padrejtë dhe të njëanshme. Lëvizja ka kërkuar që politikanët që dikur kanë lobuar për krijimin e saj, sot të shprehin pendesë për qëndrimet e dikurshme, duke nënkuptuar këtu një mesazh për Ramën.
“Reflektimi nuk është gabim, por shumë nga ata që sot dalin kundër Gjykatës Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara. Një shembull i qartë është vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Partia e udhëhequr nga Albin Kurti theksoi se Shqipëria, si shtet anëtar i OKB-së, NATO-s dhe Këshillit të Evropës, ka mundësi ta ngrejë çështjen e Gjykatës Speciale në forume ndërkombëtare, “aty ku vendoset drejtësia, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë”.
Pas reagimit të Vetëvendosjes, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u përgjigj përmes një postimi në rrjete sociale, duke e quajtur reagimin e partisë një “çarçaf të gjatë” dhe duke theksuar se nuk është në asnjë garë me Lëvizjen.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” shkruan Rama.
Kryeministri shqiptar shtoi se Vetëvendosje po “ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”, duke i kujtuar se Gjykata Speciale u ngrit “për hetimet mbi trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Kosovës”.
Në fund, Rama theksoi se nuk është organizator apo folës i protestës së së premtes, por mbështet me zemër nismën për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim i asaj nisme do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj,” përfundoi ai.
Protesta “Drejtësi për Çlirimtarët” pritet të zhvillohet të premten në Tiranë, në sheshin “Skënderbe”, ku organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje mbarëkombëtare në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë./L.F-dritare.net

















