Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nëse nuk plotëson këto kushte, nuk mund të dhurosh gjak! Mëso nëse je një dhurues!

Nëse nuk plotëson këto kushte, nuk mund të dhurosh gjak!

Dhurimi i gjakut është një akt humanitar, por përpara se të arrini te dhënia e gjakut, ekziston një proces i rëndësishëm seleksionimi për të garantuar sigurinë e dhuruesit dhe marrësit. Ky proces fillon në dhomën e seleksionimit në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

Gjëja e parë që ndodh është një intervistë konfidenciale me mjekun. Pyetjet janë të dizajnuara për të identifikuar çdo rrezik potencial. Disa nga pyetjet kyçe përfshijnë: A vuani nga ndonjë sëmundje kronike? A keni bërë ndërhyrje te dentisti së fundmi? A keni kaluar ndonjë virozë apo keni marrë antibiotikë?

Sinqeriteti në këtë fazë është jetik. Edhe pse familjarët mund të jenë të etur për të ndihmuar një të afërm, fshehja e një sëmundjeje mund të komprometojë cilësinë e gjakut, duke e bërë atë të papërdorshëm dhe potencialisht të dëmshëm. Njësitë e gjakut që nuk i plotësojnë kriteret asgjësohen, prandaj qëllimi është të kemi dhurues cilësorë.

Më pas, kryhen dy kontrolle të thjeshta por thelbësore: matja e tensionit të gjakut dhe nivelit të hemoglobinës. Edhe pse tensioni nuk është gjithmonë një kusht skualifikues, ai ndihmon mjekun të vlerësojë gjendjen e përgjithshme shëndetësore. Për hemoglobinën, vlera duhet të jetë mbi 12.5 g/dL për femrat dhe 13.5 g/dL për meshkujt për t'u kualifikuar. Ky test i shpejtë, që bëhet me një shpim të vogël në gisht, është vendimtar për të siguruar që dhuruesi nuk është anemik dhe mund ta përballojë dhurimin pa probleme. Vetëm pasi kalohen me sukses këto hapa, një person konsiderohet i përshtatshëm për të dhuruar gjak./L.F-dritare.net