
Nga Teuta Toska
Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan, ajo që njihet në popull si Ambulanca e Madhe, po rikonstruktohet. Duket se po bëhet shumë e bukur. Po e ruan arkitekturën, ngjyrat e zgjedhura për fasadën janë në harmoni me mjedisin urban përqark dhe po i jep hijeshi asaj hapësire aty në qytet. Mirëpo, kam disa ditë që më vret sytë mungesa e nyjes E të rasës gjinore tek fjala "e specialiteteve". Në të dyja krahët e fasadës së godinës mungon. Askush nuk di ta lakojë më memrin në shqip nga ata që kanë përgatitur shkronjat dhe i kanë ngjitur aty?
Gjithashtu, pashë se E e rasës gjinore mungon edhe te fotografia e projektit. Pra, lakimin e emrit në shqip e paskan harruar edhe arkitektët, urbanistët dhe ata/ato që i miratojnë këto projekte në zyrat shtetërore.
Mos po e bëj të madhe? Kushedi!
Po edhe unë, me një shkronjë gjeta të merrem. Por, po mendoja, se harresa e gjërave të tilla të vogla si lakimi, zgjedhimi (te folja) në masën e madhe të shqiptarëve po shkakton që të ketë sukses etimologjia popullore, ajo që i gjen te gjitha të fshehtat, që s'ka nevojë për rregullat e strukturës së fjalës në shqip, por vetëm për fantazi dhe sens humori./dritare.net

















