Na ndiqni edhe në

Arkiv

Njihuni me quinoan dhe luftoni këto sëmundje

Njihuni me quinoan dhe luftoni këto sëmundje
Quinoa është një prej drithërave më të rëndësishme e me vlera të shumta ushqimore. Kombet e Bashkuara (UN), vitin 2013, e kanë quajtur vitin ndërkombëtar të quinoas.  Por, përsëri shumë prej nesh nuk e njohin, e më pak e përdorin në vaktet e tyre.

Ina Kadi nga Veggies Tirana, tregon për Dritare.net, përse quinoa, duhet të jetë patjetër në tavolinën tuaj. Si quinoa lufton mbipeshën, diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, osteoporozën, tumoret etj. Lexoni shkrimin nga Dritare.net dhe njihuni me “drithërin magjik”

“Quinoa e gatuar është e butë dhe kremoze, por ndërkohë ka dhe ndjesinë e kërcitjes teksa e përtyp. Ka një shije delikate të ngjashme me frutat e thata, e përshtatshme për mëngjes (si cereal), për drekë (në sallata) dhe për darkë (si kontorno).”

Vlerat ushqimore të quinoas

“Në 100 g të gatuar të këtij pseudodrithi merren vetëm 120 kalori, 70% ujë, 4.4 g proteinë. Bashkimi i aminoacideve formojnë proteinat dhe proteinat shërbejnë për ndërtimin e strukturës së indeve dhe organeve të organizmit tonë. Disa nga aminoacidet quhen ‘esenciale’, për faktin që nuk prodhohen nga organizmi dhe marrja më anë të dietës është e vetmja mënyrë burimi. Quinoa konsiderohet si burim i plotë i proteinave, pasi siguron praninë e të gjithave aminoacideve esenciale.

Quinoa është produkt pa gluten, i përshtatshëm për të gjithë ata që kanë intolerancë apo alergji ndaj tij, duke parandaluar manifestimin e celiakisë apo patologjive të tjera të traktit gastro-instestinal, shkruan Dritare.net

Për të gjithë personat mbipeshë, quinoa është në top listën e ushqimeve që zëvendëson dirthërat, mund të marrësh pak kalori, por të ndjehesh dhe i ngopur njëkohësisht.

Ka indeks të ulët glicemik (53) gjë që nënkupton se nuk shkakton luhatje të shpejta të sheqerit pas konsumimit. Personat me diabet të tipit 2, kanë problem me menaxhimin e insulinës, duke shkaktuar rritje të glicemisë në gjak.

Përmban acide yndyrore Omega 3, të cilat janë në dobi të zemrës. Është burim i mirëi  fosforit, magnezit dhe hekurit.

Ndryshe nga karbohidratet e përpunuara (psh., pasta, buka e grurit e bardhë etj), quinoa e ul ndjeshëm praninë e sheqerit në gjak. Quinoa është një burim i shkëlqyer i antioksidantëve dhe mineraleve. Nëse e krahasojmë me drithërat e tjerë, ajo përmban më shumë hekur (shërben për të transportuar oksigjenin në gjak), magnez, fibra, zink, folate, thotë Ina për Dritare.net

Shija dhe efektet e mira në shëndetin tonë i atribuohen dhe pranisë së, quercines (polifenol i fuqishëm që na mbron nga sëmundjet kardiovaskulare, osteoporoza, tumoret), oksalateve , acidit fitik.”

Si të gatuani quinoan?

“Quinoa gjendet në disa ngjyra , por e kuqe ,e bardhë dhe e zezë janë më të përdorurat në gatime. Para gatimit quinoa duhet të lahet, pasi është e veshur me një mbështjellje saponine që e mbron atë nga grabitqarët. Gjatë zierjes prania e saponinave formon një shkumë të bardhë, e cila i jep dhe shijen e hidhur quinoas. Këshillohet që kjo shtresë shkumoze të hiqet.

Mbajeni në zjarr mesatar për 15 minuta , ose derisa kokrrat të bëhen transparente në të bardhë dhe kokrrat e quinoas kanë dyfishuar volumin,” tregon Ina për Dritare.net

Quinoa është një prej produkteve më të preferuara edhe nga vegjetarianët e veganët. Për të provuar pjatat e shëndetshme të quinoas dhe kombinimet e shijshme, është një vend edhe në Tiranë, Veggies Tirana, vendi i preferuar i të gjithëve./Dritare.net