Një Dritare në hapësirën mbarëshqiptare – Nga Rudina Xhunga

Dritare.net është një mundësi e re komunikimi në hapësirën ndërshqiptare.
Edhe pse faqet online, këtej dhe përtej kufirit, janë shtuar dhe lexohen shumë, duke u bërë burimi kryesor i informacionit dhe tejkaluar komunikimin nëpërmjet medies tradicionale, sërish ka një boshllëk në komunikim mes nesh. Përsëri ngjajmë ne dhe ata, ne në Tiranë dhe ata në Prishtinë, ata në Shkup, ata në Prizren, ata shqiptarët refugjatë në Greqi, ata të ikur, të vjetër dhe të lindurit e rinj të diasporës në Amerikë.
Dritare. net nuk do të ketë lajme për ne dhe ata. Por lajme për Shqipërinë, kudo ka shqiptarë. Edhe në Ukrainë, edhe në Evron greke, edhe në Kalabri, edhe në Gjakovë, edhe në Tetovë, edhe në Kanada, edhe kudo jemi shpërndarë në pritje, që në mos u bëfshim një ditë bashkë fizikisht, të gjendemi tok virtualisht.
Sepse vetëm duke u bërë treg, duke u bërë të identifikueshëm dhe bashkëpunues, duke njohur problemet e njëri-tjetrit, që janë sa të ngjashme dhe të pandashme, do të përmirësojmë mundësinë tonë për të ndryshuar, për t’u rritur, për t’ia dalë.
Dritare.net do të krijojë mundësinë e lajmit, por sidomos të ndikimit, nëpërmjet opinionit mbarëkombëtar, duke u përpjekur të sjellë në një faqe, të gjithë shqiptarët e fjalës së bukur.
Dritare.net, nuk do të jetë në kërkim të një “like”, (unë pëlqej) por të një “I can” (unë mundem). Do të sjellim Shqipërinë e shqiptarëve që munden, që punojnë, që ndërtojnë, që bëjnë biznes, që bëjnë turizëm, që bëjnë shkencë, sport dhe art, si askush tjetër, Shqipërinë e shqiptarëve që na bëjnë krenarë.
Nuk do të mungojnë as fjala e opinionistëve të momentit që komentojnë online, ngjarjet e botës, ku jemi pjesë. Sepse, ne nuk jemi një ishull i harruar, jemi një vend në kërkim të vetes dhe në rrugën e gjatë që na pret, nuk mund të mënjanohemi, por të ballafaqohemi.
Dritare.net, do të hyjë në garën e lajmit të fundit, por sidomos nuk do t’i mungojë kurrë lajmi i mirë, nga çdo cep e kënd i padukshëm dhe i harruar, nga çdo skenë dhe podium, ku shkëlqen Shqipëria, që sjell frymëzim dhe vetëbesim. Sepse kjo na mungon dhe po ta fitojmë, do ia dalim. Të bëhemi shqiptarët e një kohe të re./dritare.net

LEXO DHE :  Foto/ Nga shkretëtira në Mikonos! Det, rërë dhe çmenduri, futbolli zyrtarisht me pushime

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.