Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nisin punimet për zhvillimin e Parkut Arkeologjik Bylis-Klos, investim 6.25 milionë euro nga BE

Kanë nisur punimet për një etapë të re të zhvillimit të Parkut Arkeologjik Bylis-Klos, një projekt i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian me një fond prej 6.25 milionë eurosh.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, i cili ka inspektuar nga afër kantierin së bashku me Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, përfaqësues të AICS dhe autoritete vendore.

Projekti zbatohet nga AICS, në bashkëpunim me institucionet shqiptare përgjegjëse për trashëgiminë kulturore dhe synon ruajtjen e monumenteve, përmirësimin e infrastrukturës së vizitorëve dhe rritjen e potencialit turistik të zonës.

Një nga komponentët kryesorë të projektit është ndërtimi i Qendrës së re Multifunksionale të Vizitorëve, për të cilën janë parashikuar rreth 2 milionë euro. Qendra do të përfshijë muze, hapësira për kërkim shkencor dhe ambiente për konservimin e materialeve arkeologjike.

Në kuadër të projektit ka nisur gjithashtu puna për konservimin e monumenteve, me ndërhyrje të kryera ose në proces në pesë prej tyre. Në terren janë angazhuar edhe 11 arkeologë, të cilët po punojnë për dokumentimin dhe ruajtjen e pasurisë arkeologjike.

Një tjetër element i rëndësishëm i projektit lidhet me komunitetin lokal dhe zhvillimin e turizmit. Deri tani janë certifikuar 13 guida vendase, ndërsa janë parashikuar 210 mijë euro grante për 20 përfitues, me synim krijimin e mundësive të reja ekonomike për banorët e zonës.

Ministri Gonxhja e cilësoi projektin si një tjetër hap të rëndësishëm për zhvillimin e Parkut Arkeologjik Bylis-Klos, duke theksuar se investimi synon të ndërthurë ruajtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale./L.F-dritare.net