
Ngjarjet e plota/ Nuset vrasëse që tronditën vendin me krimet e tyre!
Dritare.net

Ja disa prej rasteve më të bujshme kur nuset kanë tentuar të vrasin ose kanë vrarë vjehrrat e tyre.
Mariana Cmeta
Mariana Cmeta, 21 vjeç një vit më parë helmoi dhe më pas mbyti me duar vjehrrën e saj Lumturije Lami.
47-vjeçarja pas konflikteve të përsëritura ishte larguar nga banesa në të cilën jetonte nusja me djalin e saj, por ky fakt nuk i ka shpëtuar asaj jetën. Ajo u vra tragjikisht pas përpjekjeve për të kërkuar ndihmë pas helmit të cilën nusja i kishte hedhur në një gotë me lëng portokalli.
Hysnie Hoxhallari
Në 28 janar të 2018-ës, qyteti i Vlorës u trondit nga vrasja e Selkie dhe Olsi Hoxhallarit, nënë e bir, të cilët pasi ishin masakruar, u lanë të digjeshin në banesën e tyre të përpirë nga flakët. Por pasi nusja dëshmoi se atë mbrëmje ajo i gjeti ata të djegur në shtëpi dhe në intervista kërkonte drejtësi, vetëm një muaj më pas policia zbuloi se ishte pikërisht 32-vjeçarja dhe i dashuri i saj 26-vjeçar autorë të krimit makabër. Për shkak se bashkëshorti i Hysnies dhe babai i djalit të saj 3-vjeçar ishte kthyer prej disa kohësh nga Greqia, dyshja nuk kishte mundur më të takohej dhe kjo e shtyu Hysnien dhe Kasëm Pirjasin drejt vrasjes së dyfishtë. Pas arrestimit të dyshes, bashkëshortja e Kasëmit dhe nëna e dy vajzave të tij, njëra prej të cilave invalide, rrëfeu se ajo dhe Hysnie Hoxhallari janë kushërira të dyta.
Xhemile Skuka
Legjenda urbane e vrasjes me vaj të nxehtë në vesh është realizuar në shkurt të 2013-ës në Hotesh të Dibrës, por gjërat nuk shkuan ashtu siç 30-vjeçarja Xhemile Skuka kishte menduar. Ajo tentoi të vriste vjehrrën e saj Naime Skuka duke i hedhur vajin e nxehtë në vesh teksa viktima flinte, por nuk e ka arritur një gjë të tillë pasi të moshuarës i ka dalë gjumi. Ndaj, 30-vjeçarja e masakroi vjehrrën e saj me mjete të forta dhe me ndihmën e kunatës, 25-vjeçares Hike Skuka, e varrosi vjehrrën në kasollen e bagëtive. Skena është parë nga një bashkëfshatar i tyre dhe tre ditë pas krimit, Xhemile Skuka u arrestua nga policia dhe rrëfeu se vjehrrën e kishte vrarë pasi ajo e keqtrajtonte, e ofendonte dhe nuk i jepte paratë që bashkëshorti i dërgonte nga emigracioni.
Sanije Tuga
Në maj të 2010-ës, policia e Kurbinit ka vënë në pranga 52-vjeçaren Sanije Tuga për vrasjen e vjehrrës së saj dhe plagosjen e bashkëshortit. Pas një sherri me vjehrrën Behare Tuga, kjo e fundit është marrë në mbrojtje nga i biri, Baftjari. Këtë duket se 52-vjeçarja nuk e ka kapërdirë dot dhe ka marrë çiften, duke qëlluar në drejtim të vjehrrës dhe bashkëshortit.
Ornela Domi
Një krim ende i padënuar ai i vrasjes së Drita Shabës në 1997-ën. Që prej zbardhjes së ngjarjes, policia është në kërkim të Ornela Domit, nuses së të birit të viktimës, e cila akuzohet si bashkëpunëtore në vrasjen e vjehrrës së saj. Asokohe vetëm 16 vjeçe dhe me bashkëshortin e larguar në emigrim, Ornela nisi një histori dashurie me djalin e xhaxhait të bashkëshortit të saj. Por një mbrëmje, Drita Shaba e gjen dyshen në dhomën e gjumit dhe e tronditur nga skena, tentoi të dalë jashtë shtëpisë. Por ajo nuk arriti ta bënte një gjë të tillë pasi u qëllua 5 herë me thikë në kraharor nga 15-vjeçari Xhurian Shaba, djali i kunatit të saj dhe i dashuri i nuses. Për të mbuluar krimin, Ornela Domi inskenoi një grabitje të rreme dhe udhëzoi Xhurianin të largohej me sendet e shtrenjta që ndodheshin në shtëpi. Ngjarja e vërtetë është mësuar disa kohë më vonë, nga shoku i Xhurianit, i cili ishte dëshmitari i vetëm në ngjarje dhe kërcënohej nga Xhuriani për të mos rrëfyer historinë. Të dy të dashuruarit vijojnë të jenë në arrati./ I.M-Panorama

















