Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vrasja e biznesmenit në Sarandë/ Rexhep Ismaili u ekzekutua pasi ndërhyri për të ndalur një sherr në lokalin e tij

Vrasja e biznesmenit në Sarandë/ Rexhep Ismaili u ekzekutua pasi

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e biznesmenit Rexhep Ismaili, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e 7 majit brenda lokalit të tij në fshatin Gjashtë të Sarandës.

Sipas burimeve hetimore, 66-vjeçari dyshohet se u vra pasi ndërhyri për të ndaluar një konflikt mes një të riu dhe një grupi prej rreth 10 personash, të cilët kishin hyrë me sende të forta në ambientet e lokalit. Mësohet se Ismaili ka tentuar të mbrojë të riun, duke u thënë autorëve se “djalin nuk mund ta prekni në shtëpinë time”, ndërsa ka kundërshtuar nxjerrjen e tij me forcë nga lokali.

Nga dëshmitë e mbledhura deri tani, policia dyshon se në zanafillë të konfliktit mund të ketë qenë një përplasje për çështje pronësie. Situata degradoi shpejt nga përleshja fizike në përdorimin e armëve të zjarrit.

Sipas hetimeve paraprake, një prej personave të përfshirë në konflikt, Lulzim Tabaku, dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar Rexhep Ismailin në kokë. Pas të shtënave, persona të tjerë që ndodheshin në lokal kanë reaguar gjithashtu me armë zjarri.

Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur edhe një prej agresorëve, i cili dyshohet se ishte pjesë e grupit që kishte mbërritur në lokal. Deri tani ai nuk është identifikuar dhe nuk rezulton të jetë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore. Policia po ushtron kontrolle në spitale dhe klinika private për lokalizimin e tij.

Ndërkohë, asnjë nga personat e dyshuar nuk është arrestuar deri më tani. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një automjet luksoz tip Audi Q8, që dyshohet se i përket autorëve.

Rexhep Ismaili ishte pronar i karburantit dhe lokalit “Vëllezërit Ismaili”, ndërsa bashkë me të vëllanë zotëronte edhe plazhin e njohur “Pema e Thatë” në Ksamil. Ai mbante gjithashtu postin e drejtuesit të Shoqatës “Çamëria”, dega Sarandë.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.