Protesta e opozitës para Kryeministrisë, policia publikon masat dhe rrugët që do të bllokohen
Dritare.net

Policia e Tiranës ka marrë masa për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit zyrtar, tubimi i organizuar nga Partia Demokratike do të nisë në orën 19:00, ndërsa për garantimin e sigurisë dhe rendit publik do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Policia bëri të ditur se nga ora 23:45 e datës 7 maj deri në përfundim të protestës do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e ditës së sotme deri në përfundim të tubimit, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Autoritetet u kanë bërë thirrje organizatorëve të respektojnë afatet dhe itinerarin e përcaktuar për protestën, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për devijimet dhe kufizimet e trafikut në zonat përreth.