Na ndiqni edhe në

Aktualitet

David Attenborough mbush 100 vjeç, ikona e dokumentarëve dhe zëri i planetit

David Attenborough mbush 100 vjeç, ikona e dokumentarëve dhe

David Attenborough mbushi 100 vjeç, duke u kthyer jo vetëm në një ikonë të televizionit botëror, por edhe në një nga zërat më të rëndësishëm për mbrojtjen e planetit dhe natyrës.

Në një mesazh audio të publikuar në prag të ditëlindjes së tij, Attenborough u shpreh i emocionuar nga mijëra urimet që ka marrë nga njerëz të të gjitha moshave. “Kisha menduar ta festoja qetësisht 100-vjetorin, por duket se shumë prej jush kishin ide të tjera”, tha ai, duke falënderuar publikisht të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe urimi.

Ditëlindja e tij po shënohet me një seri aktivitetesh të veçanta në Britaninë e Madhe. Një nga ngjarjet kryesore do të mbahet në Royal Albert Hall, ku do të organizohet një spektakël live me muzikë nga dokumentarët e tij më të famshëm, histori personale dhe reflektime nga figura publike dhe aktivistë të njohur të mjedisit. Eventi do të transmetohet edhe nga BBC One.

Ndërkohë, ekspozita interaktive “Our Story With David Attenborough” në Londër do të transformohet në një shfaqje speciale për publikun, duke sjellë një udhëtim përmes historisë së njerëzimit dhe Tokës, si dhe një vizion për të ardhmen e planetit.

Gjatë karrierës së tij mbi shtatë dekada, Attenborough ka revolucionarizuar dokumentarët natyrorë. Nga “Zoo Quest” në vitet 1950, deri te sukseset globale si “Planet Earth”, “Blue Planet” dhe “Our Planet”, ai ka sjellë në ekran bukurinë dhe brishtësinë e natyrës, ndërsa ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e ndryshimeve klimatike.

Ai konsiderohet si një nga figurat më me ndikim në historinë e televizionit dhe i vetmi person që ka fituar çmime BAFTA për programe të realizuara në bardhezi, me ngjyra, HD, 3D dhe 4K.

Urime për 100-vjetorin kanë ardhur nga e gjithë bota, përfshirë edhe Prince Harry, i cili e quajti Attenborough “më shumë se një transmetues televiziv”, duke shtuar se ai ka fituar besimin e njerëzve duke treguar se natyra meriton të vlerësohet dhe të mbrohet.

Harry e përshkroi dokumentaristin si një figurë që bashkon brezat dhe që ka krijuar një ndjenjë vazhdimësie në një botë të paqëndrueshme. “Ai na ka treguar botën në gjithë madhështinë dhe brishtësinë e saj”, u shpreh Duka i Sussex.

Edhe në moshën 100-vjeçare, David Attenborough vazhdon të mbetet një simbol global i edukimit, televizionit cilësor dhe mbrojtjes së mjedisit, ndërsa zëri i tij unik vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën./L.F-dritare.net