
Udhëheqësit evropianë që shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe marrëdhëniet e tyre me Trumpin!
Dritare.net
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer
U takua për herë të fundit me Donald Trump gjatë vizitës së këtij të fundit në Skoci, në muajin korrik. Gjatë mbërritjes në Mbretërinë e Bashkuar, Trump u tha gazetarëve: “Më pëlqen kryeministri juaj”, dhe ka folur shpesh pozitivisht për të ashtuquajturën “marrëdhënie speciale” midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni
Vizitoi Shtëpinë e Bardhë në muajin prill. Meloni dhe Trump njihen për një marrëdhënie të mirë personale, me vlerësime të ndërsjella në të kaluarën. Trump e ka cilësuar Melonin si një “grua fantastike” që “ka pushtuar vërtet Evropën”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz
Vetëm një muaj pasi mori detyrën si kancelar, Merz udhëtoi drejt Shtëpisë së Bardhë, ku fitoi simpatinë e Trump duke i dhuruar një certifikatë lindjeje të gjyshit të Trump, Friedrich, lindur në Bavari.
Presidenti finlandez, Alexander Stubb
Ndan një pasion të përbashkët me Trump për golfin – të dy luajtën një raund bashkë në resortin Mar-a-Lago në Florida, gjatë muajit mars. Në këtë vizitë jozyrtare, ata diskutuan edhe për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Finlandë, gjatë një dreke të përbashkët.
(Foto e publikuar në rrjete sociale tregon Trump dhe Stubb duke buzëqeshur në fushën e golfit Mar-a-Lago.)
Presidenti francez, Emmanuel Macron
Ka ndërtuar një marrëdhënie të papritur me Trump gjatë mandatit të parë presidencial të këtij të fundit. Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, Macron vazhdoi ta lavdërojë Trumpin – madje pranoi se Trump kishte pasur të drejtë kur vendosi të mbante lidhje me presidentin rus, Vladimir Putin.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte
Rutte ka lavdëruar Trumpin për menaxhimin e krizës midis Izraelit dhe Iranit, ndërsa Trump, nga ana e tij, ka vlerësuar udhëheqjen e NATO-s nën drejtimin e Rutte-s, duke përmendur zotimin e anëtarëve për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen
Ka negociuar me Trumpin lidhur me tarifat që SHBA planifikonte të vendoste ndaj BE-së. Të dy u takuan në fushën e golfit të Trump në Turnberry, ku arritën një marrëveshje tregtare muajin e kaluar. Trump e komentoi marrëveshjen duke thënë: “Kjo do të na afrojë më shumë... është një partneritet në një farë mënyre..BBC

















