
U përcoll për në banesën e fundit shkrimtarja e mirënjohur Eglantina Mandia!
Dritare.net
Nga Elida Buçpapaj
Shkrimtarja e njohur Eglantina Mandia do të prehet në Windsor Memorial Gardens. Eglantina Mandia u nda nga jeta më 11 shkurt kur më 1 dhjetor 2021 kishte mbushur 85 vjeç. Prej 1997 Eglantina Mandia jetonte në Windsor, Kanada.
Eglantina Mandia është një portreti i bukur i gruas shqiptare – një personalitet i krijuar me veprimtarinë e jetës si mësuese, shkrimtare dhe nënë e grua.
Eglantina Mandia iu përkushtua dashurive të jetës së saj që ishin familja, mësuesia dhe veprimtaria si gazetare e shkrimtare. Ajo përveç angazhimit të saj në shtypin e kohës posa doli nga bankat e Pedagogjikes, është autore e njëmbëdhjetë librave, ku dallohen Sonata e Hënës, biografia e letrarizuar kushtuar disidentes Musine Kokalari; libri TEMPULLI I SHPRESAVE, kushtuar deshmorit të monumenteve te kultures, Kamber Myrteza Benja, që ishte edhe gjyshi i shkrimtares, me të cilin krehohej shumë etj.
Eglantina Mandia e identifikonte veten me mësuesen, sepse mësuesisë ajo iu përkushtua me një dashuri të pafund. Sa herë që binte rasti, ajo do të kujtonte vitet e kaluara në Gjimnazin Sami Frashëri e Partizani, ajo do të ndalej të fliste për koleget e saj të zemrës, që i përmendte gjithmonë, që i deshte me sinqeritetin e zemrës, midis tyre Afërdita Asllanian, Drita Siliqin, Nina Agollin etj.
Eglantina Mandia e identifikonte veten me gruan shqiptare, në universalitetin e saj, si nëna- zemra e familjes, si themeli bazë për të rritur të shëndetshëm brezat.
Eglantina Mandia ishte portreti i kompletuar i femrës shqiptare, me kontribute të shquara si shkrimtare dhe gazetare, si mësuese dhe si femër e emancipuar, me dije, me kulturë dhe me vlera morale, që nuk i ndante kurrë!
Eglantina Mandia ishte një grua e kultivuar, me një bukuri të skalitur shqiptare, ku spikaste talenti dhe pasioni i shkrimtares për fjalën shqip dhe për të vërtetën shqiptare!
Shkrimtarja Eglantina Mandia kishte një dashuri të madhe për Kosovën, që i ka kushtuar edhe një pjesë të mirë të krijimtarisë të saj. Ajo kishte mikeshat e saj në Kosovë që i deshte fort, po përmend këtu Sanije Gashin. Ajo rradhitet në emrat e ndritur të elitës femërore shqiptare, me kontribute të shquara në fushën e letrave dhe në emancipimin e gruas shqiptare.
Eglantina Mandia ishte një grua e realizuar, edhe nga pikpamja intelektuale dhe nga çdo pikpamje. Ishte një bashkëshorte e lumtur, një nënë, vjehërr, gjyshe dhe stërgjyshe e lumtur, ishte një motër e lumtur, ishte një grua e lumtur që mbillte vetëm dashuri, muzikë dhe lule.
Në ceremoninë përcjellëse që u mbajt në qytezën ku ajo jetoi mbi njëzet vitet e fundit të jetës, të pranishmit folën pikërisht për vlerat e Eglantina Mandisë. Kjo ceremoni u dha edhe në live stream për të afërmit që nuk mundën të ishin të pranishëm.
I pari e mori fjalën Ardian Mandia fëmija i vetëm i Qemal dhe Eglantina Mandisë, i cili i emocionuar kujtoi nënën e tij të shtrenjtë, me portretin e saj tridimensional, të cilat Eglantina Mandia nuk i ndante kurrë. “Mamaja ime ishte një influencër pozitive, që ndërtonte vetëm ura dhe nuk e kisha dëgjuar kurrë në jetë të fliste për dikë keq”.
Ardian Mandia falenderoi të gjithë ata që kishin shprehur ngushëllimet dhe vlerësimet për Eglantina Mandinë si Natasha Lako, Visar Zhiti, Përparim Kabo, Thanas Gjika, Bedri Alimehmeti etj. Ai po ashtu shprehu mirënjohjen për të gjithë ato zonja dhe familje që kishin qendruar pranë nënës së tij, që kishin ndarë kafenë, bisedat dhe kënaqësinë e përbashkët. Ai po ashtu falenderoi ekipin mjekësor dhe të infermierëve që i kishte zgjatur jetën duke e trajtuar nënën e tij si nënën e tyre.
Pastaj e morën fjalën midis lotëve, Shaqja, nusja e Ardianit, që Eglantina Mandia e deshi si vajzën e saj, për të cilën Eglantina ishte nëna e saj, nuset e dy nipave të saj, që e përshkruan mrekullisht portretin e bukur të Nëna Tinës dhe një e afërmja e tyre që foli me respekt për zonjën fisnike.
Eglantina Mandia ishte modeli i përkryer i një gruaje shqiptare të angazhuar në jetën kulturore dhe sociale. Ajo ishte e dashuruar pas jetës, ajo e jetoi jetën me stilin e saj elegant si veprat e saj. Ajo e jetoi jetën me dinjitet duke lënë gjurmë të bukura në letrat shqipe dhe në kujtesën e atyre që e njohën./Marrë nga VOAL

















