Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Trump sulmon aleatët e NATO-s: Frikacakë. Pa SHBA jeni tigër prej letre

Trump sulmon aleatët e NATO-s: Frikacakë. Pa SHBA jeni tigër prej

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ashpërsuar tonet ndaj aleatëve të NATO-s, duke i quajtur ata “frikacakë” për mungesën e mbështetjes në operacionin për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës. Sipas raportimeve të Reuters dhe mediave të tjera ndërkombëtare, deklarata erdhi përmes një postimi në Truth Social, ku Trump akuzoi aleatët se po ankohen për çmimet e larta të naftës, por nuk po marrin pjesë në sigurimin e kalimit të lirë të anijeve.

Në reagimin e tij, Trump shkroi se “pa SHBA-në, NATO është një tigër prej letre”, duke shtuar se aleatët nuk deshën të përfshiheshin në përballjen kundër Iranit. Ai pretendoi se lufta tashmë është “fituar ushtarakisht” nga SHBA-ja, por theksoi se vendet partnere nuk po ndihmojnë në një manovër që sipas tij do të ishte “e lehtë” dhe me “shumë pak rrezik”, për të rihapur ngushticën.

Përplasja vjen në kulmin e tensioneve në Lindjen e Mesme, pasi Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një pikë kritike të krizës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Mbyllja faktike e kësaj rruge detare ka ngritur çmimet e naftës dhe ka rritur presionin mbi vendet perëndimore për të garantuar sigurinë e lundrimit.

Sipas Reuters, disa vende aleate, përfshirë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Holandën, Japoninë dhe Kanadanë, kanë shprehur gatishmëri për të mbështetur lirinë e lundrimit, por vetëm në kushtet e një uljeje të luftimeve, duke shmangur përfshirjen direkte në konflikt. Kjo qasje duket se ka irrituar Trumpin, i cili paralajmëroi se qëndrimi i aleatëve “do të mbahet mend”.

Deklaratat e fundit rrezikojnë të thellojnë përçarjen mes Uashingtonit dhe aleatëve të NATO-s, në një moment kur kriza në Gjirin Persik po kthehet në provë të re për unitetin e aleancës./L.F-dritare.net