Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama mbledh Asamblenë e PS, nis riorganizimi i partisë për 2027-ën

Rama mbledh Asamblenë e PS, nis riorganizimi i partisë për

Kryeministri Edi Rama ka kthyer vëmendjen te riorganizimi i Partisë Socialiste. Të shtunën, më 21 mars, ai ka thirrur mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, ku në fokus do të jetë ristrukturimi i brendshëm i partisë dhe përgatitja për sfidat e ardhshme elektorale.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00 në një resort në bregdet. Punimet do të çelen nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryesocialisti Edi Rama.

Ky konsiderohet një vit i rëndësishëm për socialistët, të cilët do të nisin një proces të plotë riformatimi të strukturave të partisë, që nga baza, me zgjedhjen e kryetarëve të organizatave socialiste dhe ngritjen e forumeve të reja drejtuese. Ky proces pritet të përfundojë më 12 qershor, në 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste.

Në axhendën e Asamblesë parashikohet një analizë e punës së organizatave socialiste në të gjithë vendin, si dhe dhënia e udhëzimeve për zgjedhjet e brendshme në parti. Një tjetër pikë e rëndësishme do të jetë edhe analiza e detajuar e performancës së PS-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Pjesë e diskutimeve do të jetë edhe përgatitja për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku socialistët synojnë të nisin herët organizimin politik dhe elektoral. Në këtë kuadër, Asambleja pritet të shqyrtojë edhe angazhimin e strukturave për zgjedhjet lokale.

Një tjetër fokus i mbledhjes do të jetë diaspora dhe përfshirja e saj aktive në proceset politike të PS-së. Socialistët e konsiderojnë pozitiv rolin e emigrantëve në zgjedhjet e vitit 2025 dhe, duke pasur tashmë një strukturë të ngritur, synojnë ta forcojnë më tej këtë mbështetje edhe për zgjedhjet e ardhshme.

Nëpërmjet kësaj mbledhjeje, Partia Socialiste synon të hapë një fazë të re organizimi të brendshëm, duke analizuar rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe duke hedhur bazat për betejat e ardhshme politike./L.F-dritare.net