Trump në Davos, aleatët në alarm: Groenlanda rrezikon përçarje në NATO
Dritare.net

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Davos ku pritet të mbajë së shpejti një fjalim para liderëve botërorë në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror. Fjalimi i tij pritet të ndiqet me vëmendje të lartë, mes tensioneve të shtuara diplomatike.

Në qendër të diskutimeve të këtij samiti është Groenlanda, me liderët ndërkombëtarë që shprehin shqetësime se qëndrimet e Trump mund të rrezikojnë unitetin e NATO-s. Presidenti amerikan ka paralajmëruar më herët vendosjen e tarifave 10% ndaj mallrave nga tetë vende europiane që vazhdojnë të kundërshtojnë planin e tij për marrjen e kontrollit mbi Groenlandën.

Nga Londra, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi në Parlament se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i “nënshtrohet presionit” të Trump lidhur me Groenlandën.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron reagoi ashpër, duke paralajmëruar se Bashkimi Europian mund të shqyrtojë masa hakmarrëse.

Tensionet janë shtuar edhe mes SHBA-së dhe Britanisë, pasi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, akuzoi Londrën se po “e zhgënjen” Uashingtonin me vendimin për t’i kaluar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit.
Vizita e Trump në Davos zhvillohet në një klimë të ngarkuar politike dhe ekonomike, ndërsa qëndrimet e tij pritet të ndikojnë ndjeshëm në marrëdhëniet transatlantike dhe balancat globale./L.F-dritare.net