
Tritan Kalo: Çfarë duhet të dini për gripin stinor!
Dritare.net
Vjeshta tashmë ka trokitur, dhe rreziku për t'u prekur nga gripi stinor apo koronavirusi, është shtuar. Megjithëse jo çdo grip do të thotë korona, mjeku infeksionist Tritan Kalo, shprehet se numrat e rasteve të konfirmuara me Sars-Cov-2, pritet të shtohen. Periudha kohore tipike e këtyre infeksioneve virale stinore është ajo midis tetorit dhe prillit.
"Fillimi i simptomave vërehet pak ditë pas rënies në kontakt me këto viruse, dhe simptomat më të shpeshta të një infeksioni grip-ngjasues janë: temperatura e lartë e shoqëruar ose jo me ethe, teshtitjet, gërvishtjet apo dhimbjet e fytit, dhimbje të përgjithshme trupore, dhimbjet e kokës dhe lodhja. Përhapja e këtyre infeksioneve prej të sëmurit te individët e tjerë ndodh direkt nëpërmjet spërklave, por edhe nga prekja e objekteve të ndryshme. Shërimi është i shpejtë për 4 - 7 ditë, me përjashtim të personave me sëmundje kronike dhe lëndime imunitare, në të cilët ecuria e sëmundjes mundet të zgjatet, të rëndohet dhe të shoqërohet me ndërlikime".
Për t'u trajtuar me antibiotikë, këshillon mjeku Kalo, duhet patjetër të këshilloheni me mjekë. Për një vjeshtë e dimër jo të ashpër shkruan ai, duhet të jeni të kujdesshëm jo vetëm të zbatoni të gjitha këshillat e dhëna për pandeminë, por të keni një regjim ushqimor të shëndetshëm, që t'ju mbrojë nga virozat e stinës. Kujdesi dyfish, është mbrojtje e shumëfishtë./L.F-dritare.net

















