Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tri dosje!

Tri dosje!

Nga Rexhep Qosja!

Tri dosje!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

Mos u shqetësoni, s’janë shumë, gjithsej tri dosje. Njëherë për njëherë. A janë a s’janë shumë nuk varet aq prej numrit të tyre sa prej lëndës që kanë brenda. Duhet t’i përktheni anglisht, i kërkon drejtori i ri i arkivit, Filipi, Filip Suma. Për kë? A mund të më thoni? Për kryeprokurorin. I kujt është ai kryeprokuror? Nuk e di, nuk më është thënë i kujt është. Vetëm anglisht? Njëherë për njëherë vetëm anglisht, nuk më është thënë edhe në ndonjë gjuhë tjetër. Për kur duhen? Sa më shpejt. Unë nuk punoj shpejt po punoj mirë. Punë të mbarë, do të shihemi nesër, pasnesër, tjetërpasnesër në këtë kohë, për marrëveshjen.

DOSJA nr.779

U sa mirë! Në këtë dosje qenka vetëm një fletë: të dhënat jetëshkrimore të njërit.

Quhet Arlind Dushina. Ky mund të mos jetë emri i tij i vërtetë, por nofka e tij, nofkë si të thuhet e modernizuar. Të rinjtë tani i kanë në qejf emrat që i quajnë modernë. Kryesorja mos të jenë emra të mëhershëm: grekë, turq, arabë, sllavë. Ka lindur në fshatin K... i a j e ç ë,1 në krahinën e njohur të Kosovës, që quhet Drenicë. Këtu, në Drenicë, ka lindur dhe një kohë, derisa sa i kanë rënë në fije forcat tona, ka jetuar dhe armiku më i madh i serbëve, Azem Bejta. Emri Arlind përbëhet prej dy fjalësh: prej një emri dhe prej një foljeje, prej emrit ari dhe prej foljes lind, që i përkthyer serbokroatisht domethënë i lindur i artë. Mbiemrit të tij Dushina unë, si përkthyes, nuk mund t’ia di domethënien. Arlindi ka kryer Gjimnazin në Prishtinë, kurse babai i ka punuar në Universitetin e Prishtinës. Kur ishte në vitin e tretë të studimeve do të vërë lidhje, ende nuk kemi kuptuar se si dhe përmes kujt, por jemi duke bërë kërkime në këtë drejtim, me një organizatë ilegale, marksiste-leniniste. Në shtëpinë e tij, në të cilën kemi arritur të futemi në terr, në terrin e parë, kur askush nuk ishte brenda, kemi gjetur tri parulla që i kishte shpërndarë natën nëpër disa rrugë të vogla të qytetit. E kemi kapur të nesërmen kur po këto parulla kishte filluar t’i shpërndante në rrugën që çon në Gërmi. Kur i jemi afruar pa i thënë gjë ka kuptuar kush jemi dhe ka ngritur të dyja duart. Është i burgosuri i parë, i cili as nuk pati farë armë me vete e as nuk do të provojë të ikë. për nënën e tij apo për ndonjë familjar tjetër të tij - ai ka dhe dy motra, një xhaxha dhe një teze, ne do të bëjmë çmos për Në qoftë se Shefit i duhen të dhëna edhe për babanë e tij, t’ia siguruar sa më shpejt që të jetë e mundshme.

DOSJA nr. 783

Malësore!

Malësore Tusha!

Nuk është prej asnjë Malësie, as prej Malësisë që shtrihet në Shqipëri, as prej Malësisë që shtrihet në Mal të Zi e as prej Malësisë që shtrihet në Kosovë edhe pse emrin e ka Malësore. Është prej një fshati të Komunës së Junikut. Edhe me emrin, edhe me mbiemrin dëshmohet lidhja e saj shpirtërore me bujqësinë. E kuptueshme: babai i saj, Muharremi, ishte bujk, kurse nëna, Zadja, ishte amvisë. Prej të dhënave, që kemi mbledhur për këtë familje, jemi bindur se ndikimi i Shqipërisë, i Shqipërisë së Enver Hoxhës, ishte i madh te babai e saj, më në fund, si në pjesën më të madhe të fshatrave të Junikut dhe të “qytetarëve” të Junikut. Me ideologjinë e asaj Shqipërie ai, Muharremi, e ka edukuar të bijën e tij. Mund të besohet se pajisja me atë ideologji në Gjimnazin e Junikut do ta shtyjë babanë, Muharremin, që ta pagëzojë bijën me emrin Malësore. Dhe, ajo vërtet është e bëshme si Malësore dhe është trimëreshë si malësore! E kemi zënë afër kufirit. Prej një bashkëpunëtori, në të vërtetë, një informuesi, që e kemi në fshatin e saj, do të mësojmë se ajo disa herë e ka kaluar kufirin dhe ka shkuar, nuk e dinte se ku kishte shkuar në Shqipëri, por kur e kalonte kufirin kthehej tri netë më vonë në shtëpinë e prindërve, kurse dy herë kishte fjetur atje, në Shqipëri dhe ishte kthyer pas shtatë ditësh te prindërit. Kur e kemi zënë, në çantën e saj kemi gjetur pesë libra: Librin e Enver Hoxhës Me Stalinin, romanet e Ismail Kadaresë Dimri i vetmisë së madhe dhe Dasma, një libër me poezi të Llazar Siliqit, me titullin Këngët nuk mbeten kurrë të pakënduara dhe Historinë e letërsisë shqipe të realizmit socialist. Pranojmë, shoku Shef, se s’e kemi kapur atë natë sapo është kthyer prej Shqipërisë, por e kemi lënë të lirë katër ditë për të parë se kujt do t’ia çojë ato libra. Do ta lëmë të lirë edhe sot e do ta sjellim në Sekretariat nesër me ndonjë shok e ndoshta ndonjë shoqe, por kemi frikë mos me ta po ikë në Shqipëri.

DOSJA nr.785

Çaushi! Është bërë i njohur me nofkën Çaushi, ndërsa emrin e ka Refik. Refik Mustafa.

Me nofkën Çaush kanë filluar ta thërrasin shokët. Në familje, thotë, as babai, as nëna, as vëllai, as tri motrat nuk dinë se shokët e thërrasin Çaush. Çaushi nuk lë aspak përshtypjen e revolucionarit. Është tip humoristik. Edhe kur e kemi marrë në pyetje nuk ngurronte të bënte do farë skenash qesharake apo, madje, të thoshte disa fjalë banale a disa mendime me të cilat përpiqej të na bënte të qeshnim. Për t’u bërë kështu komik ai, thotë, shpesh vesh atë këmishën e njohur në Myzeqe që, që i thonë çaturre. Qe, si është përgjigjur ai në pyetjet tona.

Si e ke emrin?

Çaush.

Çaush nuk është emër njeriu.

Po çka është nëse nuk është emër njeriu?

A e di ti vetë çka domethënë fjala Çaush?

E di, si s’e di. Çaush domethënë ushtarak.

Ushtarak me gradë a pa gradë?

Me gradë, natyrisht.

Çfarë grade?

Gradë bukur e lartë, një lloj komandanti.

E sa ushtarët i komandon çaushi?

Në kohën e Turqisë ndoshta njëzet-tridhjetë vetë, kurse sot afër nëntëdhjetë.

Nuk po ditke.

Çka s’po ditkam?

Çaush shqip domethënë rreshter, e rreshteri i urdhëron, gjithsej, dhjetë ushtarë.

Dhjetë ushtarë, ushtarë të kujt?

Sa ushtarë i urdhëron ti? Ju thashë se sot çaushi i urdhëron nëntëdhjetë vetë, kurse pas një kohe, kur ta fitojmë lirinë, do të komandojë nëntëqind ushtarë!

Ti do t’i komandosh nëntëqind ushtarë?

Unë, unë, unë sot i komandoj më shumë se nëntëqind vetë.

Si? Ku? Kur? Me fjalë?

Me fjalë, me fjalë, se kur i komandon me fjalë i komandon edhe me armë.

Ku i ke ata ushtarë ti sot?

Në shkolla të mesme dhe në fakultete.

Ku, këtu, a në ndonjë vend tjetër.

Në Kosovë dhe në Shqipëri.

Qiti duart përpara!

Përpara i kam.

Qiti pas shpine!

Me dhunë?

Me qejf!

Me qejf unë me ju nuk bëj asnjë hap, por me dhunë ju mund të më çoni edhe atje ku jeni mësuar t’i çoni djemtë tanë.

E ku po i çuakemi djemtë tuaj?

I çoni atje ku do t’ju çojë populli ju nesër.

Ani, ani, hajde, çohu, ulu, çohu, ulu, zgjati duart prapa, të rrinë më mirë të lidhura pas bythe se përpara. Çaush! Çaush!

E ti Kurrkush! Kurrkush! Kurrkush!

Po ditke ti edhe kështu, Çaush, nuk qenke vetëm qesharak, po qenke edhe serioz, shumë serioz.

Edhe kur bëhem qesharak jam serioz.

Ta kallëzojmë ne edhe seriozitetin tonë!

Shkurt! Kurrkush!

Gjatë Çaush!

Çaushi është i rrezikshëm, prandaj duhet t’i nënshtrohet trajtimit të veçantë fizik dhe psikik!

P.S. Ishin këto tri dosje kryesisht të buta. Pas atyre mund të më vijnë të egrat. E numri i dosjeve të egra sigurisht është tepër i madh. Lëshojeni diellin të hyjë brenda. Kjo është thirrje që jehon sot në krejt botën. Vetëm këtu, pas mureve të burgut, ajo thirrje nuk gjen ende jehonë. A mos jemi të padenjë për të na ndriçuar dielli. Burgjet ndërtohen ashtu, në atë mënyrë, që anët e disa krahëve të tyre, anët e krahëve të verilindjes të mbesin të pandriçuar prej diellit gjatë gjithë vitit. Asnjë rreze e diellit nuk futet në këto qeli për të përshëndetur banorët e tyre. Njerëzit detyrohen të kalojnë e të veniten vit pas vitit aty pa dritën jetëdhënëse të diellit./dritare.net

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!