Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Letra e dytë e Egzonit vetvetes!

Letra e dytë e Egzonit vetvetes!

Nga Rexhep Qosja!

Letra e dytë e Egzonit vetvetes!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!

21 dhjetor 2009

Prej mesnatës

Prej orës 1 deri në orën 3

I dashuri Egzon,

S’e pritsha letrën tënde kaq shpejt, por nuk i lejoj vetes të them se u befasova, jo, jo. E si të befasohesha prej përgjigjes sate kështu të shpejtë?! Ti je njeri i veçantë, me të gjitha i veçantë, prandaj i veçantë edhe me përgjigjet në letrat, në mesazhet, në e-mail-et, që të çohen e në lavdërimet a qortimet, po qortimet sa të panevojshme, që mund të të bëhen prej ndokujt. S’e pritsha përgjigjen tënde kështu shpejt, sepse për çështjet për të cilat të shkrova ti, ti, ti di shumë, më shumë se unë; sepse për çështjet për të cilat të shkrova ti ke mësuar shumë kohë para meje; sepse çështjet për të cilat të shkrova tashmë janë bërë aq të përditshme, aq të zakonshme, aq gjerësisht të ditura prej burrave e grave, prej të rinjve e të rejave, prej fjalëshumëve dhe fjalëpakëve, prej heshtakëve dhe prej zhurmaxhinjve saqë nuk e luajnë kënd vendit, saqë nuk ia prishin kujt më terezinë, saqë nuk e lënë kënd më të dëshpëruar siç na linin në fillimet kur filloi ndodhja dhe shpeshtimi i tyre.

Përgjigjja jote, i dashuri Egzon, si të gjitha ato që shkruan ti dhe si të gjitha ato që thua ti, qoftë edhe me një fjali, në mesazhet e tua, janë përimtime të jashtëzakonshme, janë këshilla të jashtëzakonshme për të gjithë ata që duan të njohin njëmendësinë tonë bashkë me njëmendësinë e përtashme europiane në përgjithësi dhe për të gjithë ata që prej njohjes së njëmendësisë duan të marrin këshillat që u duhen në jetë, në punë, në veprimtari shtetërore, politike, kulturore dhe në krijimtarinë shkencore me të cilën, për fatin tonë të madh, merresh ti, Egzon!

Ti, i dashur Egzon, je dëshmuar patriot i madh si në kohën e komunizmit, ashtu edhe tani në kohën e demokracisë, si në kohën e jetës sonë të jetuar, të pa liri në kohën e sundimit të Serbisë e të Jugosllavisë, ashtu edhe tash në kohën e lirisë e të pavarësisë.

Ti, i dashur Egzon, je dëshmuar si patriot i madh jo duke marrë si disa të tjerë, të mëdhenj a të vegjël, por duke dhënë: duke u dhënë tokë atyre që tokë nuk kanë, duke u dhënë lopë e dele e dhi atyre që nuk kanë as lopë, as dele, as dhi e ju duhen për të rritur fëmijët e tyre, për të mbajtur familjet e tyre, duke dhënë shtrojë e mbulojë për ata që as shtrojë e mbulojë nuk kanë për fëmijët e tyre, për pleqtë e plakat e tyre, duke dhënë herë një të tretën, herë gjysmën e herë krejt pagën tënde atyre që s’kanë me çka të ushqejnë fëmijët e tyre, familjet e tyre të vogla a të mëdha.

Nuk po gjej fjalë, i dashur Egzon, të tregoj gjithë të mirat e tua, gjithë virtytet e tua, gjithë patriotizmin tënd me çka ti, i dashur Egzon, aq shumë e ke rritur, pasuruar, humanizuar politikën tonë, politikën e partive tona të djathta e të majta, disa prej të cilave aq lehtë e aq shpejt zhyten në të këqija të ndryshme të djathta e të majta!

P.S. Posa e përfundova këtë letër, i dashur Egzon, m’u kujtua sa është e nevojshme të të bëj me dije se pas shumë përpjekjeve e gjeta një gazetë në të cilën do ta botoj në tërësi letrën time për ty dhe një televizion që do t’i japë tri fjali të përzgjedhura për ty të kësaj letre në lajmet e saj qendrore që jepen në ora njëzet. Rrofsh sa malet, Egzon i dashur/Nderim Fusha

Ndodhin gjëra nga më të pabesueshmet, dhe këtë e dinë të gjithë, madje edhe ata që nuk e njohin fare historinë dhe sa ka ndodhur në botën e mëparshme, madje edhe sa ka ndodhur në këtë të tashmen, që ecën me të njëjtin hap të pavendosur sikurse ata. S’ka njeri që të mos ketë parë diçka të tillë, ndonjëherë pa e vënë re derisa ndokush tjetër ia tregon me gisht dhe ia formulon: nxënësi më i plogët i klasës ka arritur të bëhet ministër dhe pasha dhe bankier; njeriu më i shpëlarë e më i shëmtuar ka sukses të hatashëm me femrat më të mira; më i rëndomti bëhet shkrimtar i nderuar dhe është kandidat i Çmimit Nobel, sikurse mund të jetë përnjëmend Garaj Frontina, ndoshta do të vijë dita që ta thërrasin nga Stokholmi; admiruesja më e mërzitshme dhe më vulgare arrin t’i afrohet idhullit të saj dhe përfundon në martesë me të; gazetari i korruptuar dhe hajdut mbahet si moralist dhe si mbrojtës i ndershmërisë; mbretëron më i largëti dhe më burracaku i trashëgimtarëve të fronit, i fundit në listë dhe më mjerani; gruaja më e bezdisshme, më e fryrë dhe më përçmuese adhurohet nga klasat e ulëta, të cilat i shtyp dhe i poshtëron nga kolltuku i saj qeveritar dhe ata do të duhej ta urrenin; hajvani më i madh apo maskarai më i madh votohen masivisht nga një popull i hipnotizuar prej poshtërsisë apo i gatshëm për t’u mashtruar apo madje për t’u vetëvrarë; vrasësi politik, me të ndërruar moti, lirohet dhe brohoritet si patriot heroik nga turma që gjer atëherë e ka pasur të fshehur karakterin e saj kriminal, ndërsa njeriu më i pagdhendur emërohet ambasador ose zgjidhet President i Republikës, ose bëhet princ bashkëshortor nëse në këtë mes hyn martesa, që është gjithmonë idiotike, dhe e pamend. Që të gjithë presin rastin ose e kërkojnë, e kjo ndonjëherëvaret nga sa vullnet ka në ndjekjen e çdo dëshire, sa zell dhe durim në ndjekjen e çdo qëllimi, sado megaloman, dhe të marrëzishëm.

Javier Marias, Ashtu si dashuritë/ Përkthyer nga Bashkim Shehu.

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net