Sot 5 Maji/ Historia e heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima në Burgun e 7 Penxhereve!
Dritare.net

Sot në Ditën e Dëshmorëve të Kombit ju sjellim historinë e heroinave të popullit Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të dënuara në Burgun e Shtatë Penxherevë, që ndodhet brenda Kalasë së Gjirokastrës dhe tashmë është kthyer në muze.
Gazetarja Rudina Xhunga ishte brenda qelisë ku jetuan ditët e fundit në mjerim dhe tortura, dy heroinat, para se të vareshin nga gjermanët në korrik të vitit 1944.
"Në fund të korridorit gjendet busti i heroinave të popullit Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima dhe veshjet e tyre, që mbanin kur u varën në shesh. Dy shoqe partizane të cilat vuajtën dënimin në këtë burg dhe u varën në mes të qytetit.", tregon për gazetaren Rudina Xhunga, Albana Ismaili, cicerone në muze.
Gazetarja Rudina Xhunga postoi videon nga qelia e Bules dhe Persefonisë dhe me anë të një mesazhi thotë se sot duhet të përulemi para vajzave dhe djemve që dhanë jetën për lirinë tinë.
“Më 5 maj, në qelinë e torturave të Bules dhe Persefonit. Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistet, përulemi para vajzave dhe djemve që dhanë jetën për lirinë tonë. Tani burgjet shqiptare janë plot me hajdutë të pasurisë publike dhe është pak e pamundur të imagjinosh, sesi dy vajza të reja 20-vjeçare u torturuan dhe u varen në mes të Gjirokastrës, ne emër të dashurisë për Shqipërinë. Por në jetë, shumëçka varet dhe nga shembujt që ke mësuar! Ndaj Gëzuar 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve!”, shprehet gazetarja Rudina Xhunga./K.C/dritare.net