
Skandali tek Onkologjiku, reagon ashpër ministrja e Shëndetësisë!
Dritare.net
Ministrja e Shëndetësisë Albana Kociu mblodhi stafin e Onkologjikut pas skandalit që u zbulua ditën e sotme. Pas mbledhjes Koçiu tha për mediat se është e patolerueshme ajo që ndodhi dhe fajtorë janë edhe ata që e dinin dhe nuk reaguan. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, thotë ministrja.
“Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor.”-u shpreh ministrja.
Denoncimet e pacientëve kanë zbuluar të gjithë skemën si mjekët dhe personeli që punonte tek Onkologjiku nxisnin pacientët të kryeninin vizitat dhe shërbimet në klinikën private Megis, që ndodhej tek Astiri. Nga prokurori Bledar Valikaj po hetohen mjekë të spitalit të Onkologjikut por dhe zv/drejtoresha e QSUT. Në hetim është dhe Halil Gashi, administrator i kësaj klinike./K.C/dritare.net

















