Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Skadon afati për lirimin e hapësirave publike, Balluku: Nga sot nis veprimi i IKMT-së

Skadon afati për lirimin e hapësirave publike, Balluku: Nga sot nis

Prej kësaj të premteje, Inspektorati i Kontrollit dhe Mbrojtjes së Territorit (IKMT) do të nisë zbatimin e masave për lirimin e hapësirave publike përgjatë akseve kombëtare, pas përfundimit të afatit të dhënë për bizneset deri më 31 korrik për largimin vullnetar. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, e cila theksoi se pas një fushate këshillimore 8-ditore nga ARRSH dhe IKMT, tashmë do të fillojë veprimi konkret në terren.


Balluku solli si shembull pozitiv një subjekt në aksin Kombinat–Plepa, i cili ka respektuar distancat nga trupi i rrugës dhe ka sistemuar estetikisht zonën ku ushtron aktivitetin. Ajo përgëzoi gjithashtu subjektet që operojnë në segmentin Gjirokastër–Levan, ku, sipas saj, gjatë një inspektimi nuk është konstatuar asnjë shkelje.

Ministrja theksoi se ky nuk është një aksion i përkohshëm, por një reformë e thellë për mbrojtjen e hapësirës publike dhe respektimin e ligjit:

“Nuk është një aksion kundër tendave, por një reformë që nuk lë jashtë vëmendjes as oborret e përbashkëta të zaptuara, as TEC-et e ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Pavarësisht mohimeve apo mbrojtjeve qesharake, askush nuk do të tolerohet më.”

Balluku theksoi se veprimet e IKMT do të mbështeten edhe nga Policia e Shtetit, ndërsa paralajmëroi masa të rrepta për të parandaluar rikthimin e shkeljeve.

Ajo falënderoi qytetarët për bashkëpunimin dhe i inkurajoi të vijojnë denoncimet, të cilat së shpejti do të mund të bëhen edhe përmes platformës së re “Hapësira ime”, e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama.

“Të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë për të garantuar shërbime cilësore për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e shumtë që ndodhen këtë sezon në vendin tonë”, përfundoi Balluku./K.C/dritare.net