
BBC
Njerëzit janë ‘alergjikë’ ndaj njerëzve të tjerë
Disa persona përjetojnë reagime të rënda imunitare ndaj trupit të dikujt tjetër. Këto gjendje të rralla ende mbeten një mister mjekësor, por po ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë sistemin tonë imunitar.
Rasti i Maura-s
Maura, një grua 43-vjeçare nga Ohio (SHBA), filloi të kishte ndjesi djegieje në zonën gjenitale pas marrëdhënieve seksuale pa prezervativ kur ishte në të 20-at. Ajo hezitoi t’ia tregonte partnerit, dhe provoi të ndryshonte sapunin dhe lubrifikantin, por simptomat u përkeqësuan – duke përfshirë fryrje dhe skuqje që ndodhnin vetëm pas kontaktit me spermën.
Një natë, pas një akti seksual, ajo pësoi një reaksion të rëndë: gjuha iu fry papritur dhe filloi të asfiksohej. Fatmirësisht, partneri i saj veproi shpejt dhe ajo shpëtoi. Më vonë, kuptoi se kishte alergji ndaj spermës – një gjendje e rrallë që shumë pak njerëz e njohin.
Reaksione të pashpjeguara ndaj trupit të dikujt tjetër
Ndonjëherë, njerëzit zhvillojnë ndjeshmëri ndaj substancave që gjenden në lëkurën apo djersën e një personi tjetër – si parfume, deordorantë apo produkte kozmetike. Disa pacientë me çrregullime të qelizave mast (qelizat që ndihmojnë në luftimin e infeksioneve) raportojnë se janë të ndjeshëm edhe ndaj erës natyrale të trupit të partnerit.
Lëkura jonë lëshon gazra dhe substanca që përmbajnë kimikate si tolueni – një përbërës që përdoret në industrinë kimike dhe që, në raste të rralla, mund të ndikojë tek të tjerët.
Sindroma PATM – “Njerëzit janë alergjikë ndaj meje”
Një fenomen i çuditshëm i quajtur People Allergic To Me (PATM) është përshkruar nga disa persona që thonë se njerëzit përreth tyre kolliten, kruhen dhe marrin frymë me vështirësi kur janë pranë tyre. Një studim në Japoni në vitin 2023 zbuloi se ata persona kishin 39 herë më shumë toluen në gazrat e lëkurës së tyre sesa njerëzit e tjerë. Megjithatë, kjo gjendje ende nuk është pranuar zyrtarisht nga mjekësia dhe nuk ka kriter diagnostik.
Reagimet alergjike përmes lëngjeve trupore
Disa alergji ndodhin për shkak të ushqimeve apo substancave të konsumuara nga partneri dhe që kalojnë përmes puthjeve apo kontaktit seksual. Për shembull:
Një grua me alergji ndaj arrave të Brazilit pati një reaksion pas marrëdhënieve me një partner që kishte ngrënë arra disa orë më parë.
Edhe antibiotikët mund të kalojnë në lëngjet trupore dhe të shkaktojnë alergji në partnerë të ndjeshëm.
Reaksione të tilla janë raportuar pas kontaktit me pështymë, spermë dhe lëngje vaginale.
Alergjia ndaj spermës (hipersensitivitet ndaj plazmës seminale)
Kjo është një alergji shumë e rrallë, ku trupi i një personi reagon ndaj proteinave që gjenden në lëngun seminal. Simptomat variojnë nga skuqje dhe djegie deri në anafilaksi – një reaksion alergjik kërcënues për jetën.
Diagnoza bëhet përmes testimit të lëkurës me një mostër të freskët të spermës së partnerit. Mjeku amerikan Jonathan Bernstein thotë se ka trajtuar gra që udhëtojnë nga vende të ndryshme për ndihmë, sepse shumë mjekë nuk janë në gjendje ta njohin këtë problem./L.F-dritare.net

















