
Si të mbrojmë fëmijët nga loja e rrezikshme që të çon në vetëvrasje? Flet psikologia Hida!
Dritare.net
Nga Lorena Fjolla!
Policia e Shtetit, paralajmëroi ditën e djeshme prindërit, të kenë nën kontroll fëmijët e tyre, pasi një lojë e rrezikshme e quajtur “Jonathan Galindo”, po përhapet gjerësisht në internet. Bëhet fjalë për një lojë me 50 sfida, ku e fundit mund të jetë fatale. E ngjashme me lojën Balena Blu, që synimin final, ka vetëvrasjen. Loja vdekjeprurëse është një lojë e cila luhet në rrjetet sociale. Altin Hazizaj, nga Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri-CRCA, në një prononcim për Dritare.net ka pranuar që loja e rrezikshme ka arritur tanimë në vendin tonë dhe të paktën 5 raste janë raportuar në platformën "Alo 116111" që është Telefoni i Ndihmës për Fëmijët.
Dritare.net komunikoi me psikologen Manolita Hida, e cila ka bërë një analizë të gjatë, përmes së cilës, u vjen në ndihmë prindërve të kuptojnë nëse fëmijët e tyre po rrezikohen nga kjo lojë.
Rreziku që vjen nga rrjeti, Jonathan Galindo/ Manolita Hida-Psikologe Klinike, Zhvillimi dhe Marrëdhëniesh!
Teksa flasim për sigurinë dhe lundrimin në rrjet, e në median sociale, nga ana e prindërve bëhen përpjekje për menaxhimin e llogarive që fëmijët e tyre mund të kenë, por edhe në rast të mungesës së një llogarie, sërish rreziku mbetet i qëndrueshëm. Nga ana e zhvilluesve të teknologjisë ka zhvillime të herë pas hershme për të bllokuar kanalet dhe llogaritë apo profilet të cilat paraqesin rrezik për fëmijët dhe të rinjtë, por jo gjithmonë këto përpjekje janë të suksesshme, ose deri në momentin në të cilin u gjendet një zgjidhje, një pjesë e përdoruesve kanë kaluar problematika dhe përjetime negative në lidhje me to.
Sot, ne jemi duke u përballuar me rrezikun e lojës “Jonathan Galindo”, një pasuese e lojës Momo dhe Balena Blu. Shumë prej nesh mund të kujtojnë vëmendjen që iu kushtua këtyre dy lojrave, referuar rasteve të fëmijëve të cilët kryen veprime ekstreme nën ndikimin e tyre.
Aktualisht ne jemi ende nën efektin e masave sa i takojnë situatës së Covid 19, dhe periudha e izolimit e theksoi edhe më shumë nevojën për kontakt social. Kjo nevojë bëhet edhe më e dukshme në rastin e fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët nëpërmjet lojës dhe grupeve të bashkëmoshatarëve rriten dhe krijojnë përvojat e tyre. Njëherazi nëpërmjet grupeve të bashkëmoshatarëve fëmijët dhe adoleshentët marrin ndjenjën e përkatësisë brenda grupit.
Kush rrezikohet më shumë?
Teksa flasim për rrezikun nga interneti dhe përmbajtja e tij, ata që janë më të rrezikuar mbeten fëmijët dhe adoleshentët (kryesisht grupmosha 10-17 vjeç). Gjithashtu, fëmijët dhe adoleshentët të cilët kanë qenë viktima të abuzimeve të mëparshme, mund të jenë një kategori në rrezik, fëmijët dhe të adoleshentët që janë dëshmitarë të dhunës në familje, abuzimit, neglizhencës, përjashtimit social, fëmijët me respekt të madh ndaj autoritetit të më rriturit, fëmijët që mund të bashkëpunojnë për të përfituar shpërblim apo me imazh negativ për veten mund të gjejnë në internet individë të gatshëm që të “qëndrojnë pranë tyre”.
Cilat janë arsyet që i shtyjnë fëmijët dhe adoleshentët drejt lojërave të rrezikshme?
Nëse i hedhim një sy llogarive të krijuara veçanërisht në Tik-Tok, në më të shumtën e rasteve janë të zotëruara nga nga grupmoshat e të rinjve (41% e përdoruesve i përkasin grup moshës 16-24 vjeç), midis tyre edhe fëmijë.
Rritja e numrit të llogarive në rrjete sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, rrit dhe rrezikun për t’u përballur me ngjarje që mund t’i përballin me kërcënimin e integritetit të tyre fizik dhe psikik.
Fëmijët dhe të rinjtë, për shkak të aspektit zhvillues, kanë energji më të mëdha që duhet të shpenzohen e njëherazi janë edhe kuriozë ndaj risive. Por teksa flasim për tema të tilla si agresioni, vdekja etj,.kurioziteti dhe vëmendja e tyre rritet, në fakt e njëjta gjë ndodh dhe me ne të rriturit.
Sipas psikologes Mia Roje:
“Gjatë zhvillimit është normative që adoleshentët priren të kërkojnë nxitje dhe adrenalinë, që shpesh nënkupton përfshirjen në sjellje të rrezikshme, por pasojat mund të jenë dhe serioze e afatgjata që mund të prekin të ardhmen e adoleshentit/adoleshentes".
Por si shihet koncepti i vdekjes nga grupmoshat e tjetra?
Një aspekt i zhvillimit të adoleshencës është një ndjenja e paprekshmërisë personale duke e menduar veten të paprekshëm nga vdekja, e që i përshtaten stilit të të menduarit: "asgjë nuk do të më ndodhë", duke i dhënë edhe ngjyra romanticizmi, edhe kur ata kanë dijeni dhe njohje të rreziqeve objektive.
Në moshën 9-12 vjeç koncepti i vdekjes është i qartë, kujdesi ndaj vdekjes personale shtohet ndonëse ka tendenca të mohohet, dhe kryesisht fokusohet tek jeta pas vdekjes, çfarë ka përtej saj.
Për fëmijët e grupmoshës 6-9 vjeç koncepti i vdekjes fillon dhe bëhet më i qartë, ku në moshën 9-vjeçare është i ngjashëm me konceptin e të rriturve, por shihet si vdekje e dikujt tjetër ose e disa personave specifik.
Ndërsa për fëmijët koncepti i vdekjes mbetet abstrakt, dhe e kanë të vështirë të kuptojnë se është një proces i pakthyeshëm (2-6 vjeç).
Mosha e adoleshencës është periudhë e zhvillimeve të fuqishme, të vrullshme e të shpejta, në të cilat adoleshenti pyet veten se : “Kush jam unë?”, duke u përpjekur t’i japë kuptim ekzistencial qenies në këtë botë e për të eksploruar e konfirmuar identitetin individual ndërmjet grupit të bashkëmoshatarëve në të cilët mund të kërkojë të dominojë në një formë apo një tjetër.
Gjithashtu ndryshimi midis botës reale dhe asaj online për fëmijët është inekzistent pasi ata komunikojnë me miqtë e tyre gjatë ditës kur janë në shkollë ose në këndin e lojërave dhe ky komunikim shtrihet më tej edhe në shtëpinë nëpërmjet komunkimit online në chat.
Fëmijët mund të përdorin konceptin e zotësisë në lojë dhe të justifikojnë mungesën e shokëve të tyre, ndërsa tek adoleshentët mungesa e shokëve mund të interpretohet me cilësitë karakteristike individuale speciale krahasuar me bashkëmoshatarët., si dhe konfliktet e vazhdueshme që mund të kenë me prindërit dhe miqtë e tyre, dhe me mungesën e të qënurit i/e kuptuar nga ana e tyre dhe e shoqërisë. Të gjitha këto situata njihen nga ana e atyre individëve të cilët zhvillojnë lojëra të rrezikshme. Në këtë formë, ata arrijnë që ti bëjnë të rinjtë të ndjehen special, të mirë, të vlerësuar, dinë mbi aftësitë e tyre gjykuese dhe si të miqësohen e të bëjnë të ndihet i/e pranuar për të ulur barrierat dhe për t’i pasur në anën e tyre.
Fëmijët dhe adoleshentët mund të shfaqin simptoma fizike dhe stres emocional si:
• Dhimbje koke dhe dhimbje barku
• Kontroll të dobët të emocioneve
• Performancë akademike jo të qëndrueshme
• Sjellja e paparashikueshme dhe / ose impulsive
• Mbi reagimi i tepërt ose nën-reagim ndaj rënies së ziles, kontaktit fizik, përplasjes së
dyerve, sirenave, ndriçimit, lëvizjeve të papritura
• Frikë ndaj ziles së telefonit/ tabletit/ PC.
• Makthe të natës
• Probleme të përqendrimit dhe vëmendjes
• Ndjenja ankthi, frustrimi
• Rezistencë ndaj tranzicionit dhe / ose ndryshimit
Përse fëmijët dhe të rinjtë hezitojnë t’u tregojnë prindërve mbi rrezikun e hasur në rrjet?
Një pjesë e fëmijëve të cilët përballen me rrezikun nëpërmjet internetit kanë tendencën që të shmangin prindërit e tyre dhe të kërkojnë ndihmë tek shokët/shoqet e tyre. Ky reagim i fëmijëve është kryesisht i lidhur me frikën që fëmijët kanë kundrejt figurës autoritare por dhe heqjes së të mirave materiale (telefoni, internet, etj).
Ndërsa tek adoleshentët është kryesisht e lidhur me ndjenjën e të qenurit i pakuptuar për kontekstin në të cilin ka ndodhur ngjarja. Adoleshentët gjithashtu mund të ndjehen të frikësuar,të turpëruar dhe në faj për veprimet dhe mos veprimet e tyre. Të dy palët, fëmijë apo adoleshentë mund të ndjehen të kërcënuar dhe të poshtëruar nëse u tregojnë të tjerëve, kryesisht më të rritur apo policisë.
Si t’u shpjegojmë fëmijëve rreziqet që vinë nga përdorimi i internetit?
Për fëmijët e vegjël mund të përdoren përrallat dhe tregimet e ndryshme, p.sh.: përralla e Borëbardhës, e Kësulëkuqes ose kecave dhe ujkut. Në përrallën e Borëbardhës njerka hiqet sikur e do Borëbardhën por në fakt ajo e ka inat, për shkak të cilësive të saj si bukuria dhe mirësia, e do që ti ketë dhe ajo. E më tej, njerka e kthyer në shtrigë, bën të pamundurën që të dijë se ku ndodhet Borëbardha, derisa e gjen dhe shkon tek ajo, ndaj dhe fëmijët duhet të tregohen të kujdesshëm me informacionin që u japin të tjerëve, qofshin këto persona të huajapo të njohur të largët, edhe pse në disa raste, rreziku mund t’u vijë edhe nga një bashkëmoshatar i cili i prezanton lojën e rrezikshme.
Gjithashtu një shembull pozitiv është përralla e kecave në të cilën kecat e vegjël ndjekin këshillat e nënës së tyre duke mos ia hapur derën të panjohurve të personifikuar nga ujku, dhe të shpëtojnë prej tij.
Mësojini fëmijëve tuaj që 'miqtë e lojërave' janë akoma të huaj në botën e vërtetë.
Në lojëra, pjesëmarrësit mund të shpëtojnë nga realiteti dhe të marrin identitete të ndryshme, kështu që grabitqarët e internetit mund të duket se janë fëmijë të tjerë, dhe fëmijët mund të marrin identitetin e të rinjve më të mëdhenj.
Miqësitë mund të zhvillohen me shokë të papërshtatshëm të lojërave, të cilët mund të përpiqen të ndikojnë tek fëmijët ose t'i kontaktojnë ata në jetën reale.
Sa më i shëndetshëm dhe pranues të jetë komunikimi aq më shumë besim do të ketë fëmija juaj në moshën e adoleshencës dhe pubertetit për të folur me ju. Përpiquni që t’i pyesni fëmijët tuaj mbi lojërat e ndryshme që ata luajnë, në mënyrë që të jeni të sinkronizuar me lëvizjet e tyre, pasi ju NUK MUND të jeni gjatë gjithë kohës nën kontrollin e fëmijëve dhe adoleshentëve. Sërish mos ndëshkoni dhe ndonëse kritika shihet gjithmonë si diçka negative, ka dhe anën tjetër të medaljes-kritikën konstruktive, në të cilën mund t’i shtyni fëmijët drejt të menduarit logjik, për aq sa aftësitë zhvillimore jua lejojnë, në të kundërt duhet të gjeni alternativa të cilat janë të kuptueshme për ta.
Mos iu trembni pyetjeve të fëmijëve dhe adoleshentëve, edhe kur nuk e dini përgjigjen. Informojini për aq sa dini. Ju mund t’i kërkoni që së bashku të mësoni më shumë mbi një temë të tillë. Fëmija juaj do të ndjehet i përfshirë dhe njëherazi nuk do ju shikojë me shikimin nga poshtë lart. Askush nga ne, nuk i di të gjitha!
Gjithashtu përpiquni të njihni grupin e bashkëmoshatarëve të fëmijës tuaj, interesat që ata kanë dhe nëse ka ndryshime të raporteve me ta. Kjo ju ndihmon që të keni më shumë kontroll mbi fëmijën tuaj. Në moshën e adoleshencës, grupi i bashkëmoshatarëve është më i rëndësishëm se edhe vetë prindërit-sado e dhimbshme dhe e rëndë të jetë kjo për t’u thënë apo pranuar. Një kujdes më vete duhet treguar dhe me ciklet e gjumit/zgjimit dhe nëse ka prishje të regjimit të tyre, duhet kuptuar arsyeja nga vjen dhe nëse kemi të bëjmë me diçka që ka lidhje pikërisht me qëndrimin me orë të tëra përpara ekranit të telefonit, tabletit apo PC./dritare.net

















