Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si i bastisën shtëpinë, njerëzit e Berishës, Safet Zhulalit!

Si i bastisën shtëpinë, njerëzit e Berishës, Safet

Bardhyl Reso një ndër anëtarët e parë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, tregoi më tepër nga fillimet e krijimit të Partisë Demokratike dhe u ndal në një moment të takimit të tij me Safet Zhulalin, Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë gjatë viteve 1992- 1997 dhe njëkohësisht deputet i PD-së në këtë periudhë. Reso tregon arsyet kryesore që shtynë Zhulalin të largohej drejt Italisë dhe ngjarjet e vitit 97.

“Unë Zhulalin e kam njohur shumë kohë më parë, që nga koha e mitingjeve për krijimin e degëve në Peshkopi. Kur e takova shumë kohë më pas e pyeta se cilat ishin arsyet që ai u detyrua të largohej në Itali në kohën e 97-ës . Një nga arsyet kryesore ishin kërcënimet që kishte patur nga vetë Sali Berisha dhe nga SHIK-u që funksiononte në atë kohë. Kryetar i SHIK-ut ka qenë Bashkim Gazidede që ishte edhe mik me Zhulalin. Zhulali më tregoi si i kishin bastisur shtëpinë, gjithë dokumentat, fotografitë që kishte në mënyrë të veçantë me përfaqësues të Pentagonit, sepse William Peri, sekretari i mbrojtjes së SHBA-ve, ka patur një miqësi të veçantë me Zhulalin.

Madje diskutohej që Shqipëria do të ishte një nga vendet e para që do të antarësohej dhe do të futej në NATO. Ngjarjet e 97-ës përmbysën gjithçka, shkatërruan Shqipërinë, megjithëse shkatërrimi kishte filluar më parë. Bastisja e shtëpisë ishte mbasi ai fluturoi drejt Italisë. Në 97-ën situata doli jashtë kontrollit sipas Zhulalit. Akoma nuk ka dalë e qartë sesi u dhanë urdhërat për hapjen e depove dhe armatimit, di që Meksi donte të bënte një ndërhyrje. Donte të tregonte që qeveria kishte forcë për të ndaluar këto ngjarje por kanë patur mosmarrveshje me Berishën për mënyrën sesi do të zhvilloheshin këto ngjarje. Kjo tregon edhe atë dobësine e organizimit dhe vetë qendrimit të shtetit Shqiptar. Një shtet që u shkërmoq në 2-3 ditë. Zhulali pranonte dhe përgjegjësitë e veta meqë ishte ministër i Mbrojtjes, por si rregull në situata të tilla të jashtëzakonshme është presidenti, ai që merr drejtimin e ushtrisë, pra bëhet Komandant i Përgjithshëm Forcave të Armatosura. Unë nuk di situatat psikologjike në të cilat ka kaluar Berisha në atë kohë por di që Berisha bridhte pa këpucë me çorape nëpër presidencë”, u shpreh Reso për Shqip në Dritare TV.