
Si do të qeverisë Edi Rama në mandatin e katërt! Flet Flogert Muça
Dritare.net
Në emisionin “Dekalog” në DritareTV, Flogert Muça analizoi pritshmëritë dhe skenarët e mundshëm për qeverisjen e mandatit të katërt të Edi Ramës. Pyetjes së Roland Qafokut për ndryshimet në kabinet dhe stilin e qeverisjes, Muça iu përgjigj me kujdes.
Ai vuri në dukje se Rama ka bërë të qartë se:
“Asnjë ministër nuk do të qëndrojë më shumë se 5 vjet” dhe se pritet një rinovim i plotë i stafit drejtues, përfshirë edhe në parti.
Muça shtoi se në historikun e Ramës ka precedentë ku ministrat që kanë shërbyer rreth 4 vite janë zëvendësuar, si në vitin 2017 dhe në 2021. Ai përmendi si shembull Ogerta Manastirliun, e cila, sipas tij, ka qenë një sukses dhe qëndrimi i saj është vlerësuar nga Rama.
Në lidhje me Bashkimin Evropian dhe negociatat, Muça tha se:
“Nuk do të ketë një ministri të veçantë të dedikuar vetëm për këtë, por disa ministra mund të qëndrojnë më gjatë sepse janë të domosdoshëm për procesin.”
Një nga skenarët që diskutohen është formimi i një qeverie teknokratësh, ku Muça theksoi:
“Nëse Rama bën qeveri teknokratësh, do të ketë njerëz të rinj, me përvojë dhe studime jashtë vendit, që dinë të bëjnë punë.”
Ai shtoi gjithashtu rëndësinë e balancës në qeverisje, duke thënë se shteti nuk bëhet vetëm me të rinj apo vetëm me të vjetër:
“Duhet një përzierje mes përvojës dhe rinisë."/K.C/dritare.net

















