Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqiptari që u bë simbol humanizmi në Greqi: Të ikësh dhe t’i lësh kafshët të lidhura, është krim

Shqiptari që u bë simbol humanizmi në Greqi: Të ikësh

Mes flakëve të mëdha që përfshinë rajonin e Patrës, pamjet e një shqiptari të ri u bënë virale dhe prekën mijëra zemra në Greqi e më gjerë.

33-vjeçari nga Tepelena, Olsien Muçobega, u kthye në simbol të humanizmit kur u fotografua duke transportuar një dele mbi motorin e tij, duke e shpëtuar nga zjarri.

Por, siç rrëfen ai për median greke protothema.gr, nuk ishte e vetmja kafshë që shpëtoi atë ditë. Bashkë me miqtë, ai nxori nga rreziku dhjetëra qen të lidhur dhe kafshë të braktisura nga pronarët e tyre.
“E di sa kafshë shpëtuam atë ditë? Shumë qenë të lidhur… Të ikësh dhe t’i lësh kafshët të lidhura, kjo nuk është harresë. Është krim”, u shpreh Muçobega.

Olsieni ka emigruar në Greqi që tre vjeç, i rritur në një familje të thjeshtë, duke punuar që herët për të ndihmuar familjen. Megjithëse ka kaluar dekada në vendin fqinj, ai ende përballet me vështirësi burokratike për marrjen e shtetësisë greke.
“Duhej ta kisha marrë pasaportën greke me kohë…”, thotë ai me trishtim.

Në ditën e zjarrit, ai ndodhej në terren bashkë me shokët, për të ndihmuar zjarrfikësit dhe banorët që përpiqeshin të shpëtonin nga katastrofa.
Dashuria e tij për kafshët dhe ndjeshmëria për dhimbjen e tyre ishin forca që e shtynë të veprojë.

“Jam i çmendur pas kafshëve”, thotë ai me buzëqeshje.

Edhe pse nuk e sheh veten si hero, për ata që panë veprimin e tij, Olsieni është dëshmi e gjallë se edhe në momentet më të errëta, humanizmi mund të ndriçojë./dritare.net