
Shqipëria mikpret stërvitjen e financuar nga BE “Flood North Albania", ministri Vengu: Të përgatitur për përballimin e emergjencave
Dritare.net
Prej disa ditësh, Shqipëria mikpriti stërvitjen “Flood North Albania”, një ushtrim i përmasave rajonale dhe ndërkombëtare, për përballimin e emergjencave civile, ku morën pjesë 13 partnerë nga 8 shtete të Ballkanit dhe më gjerë. Në përmbyllje të stërvitjes, efektivët i vizitoi edhe ministri i Mbrojtjes, z. Pirro Vengu.
Gjatë fjalës së tij, ministri Vengu theksoi rëndësinë e kësaj stërvitjeje si një moment domethënës për Mbrojtjen Civile në Shqipëri dhe një dëshmi konkrete e angazhimit të vendit tonë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian: “Shqipëria është ndër vendet më të prekura nga përmbytjet në Evropë, me rreth 50.000 qytetarë të prekur çdo vit dhe dëme, që kapin vlerën e 35 milionë eurove. Prandaj, mbrojtja civile është kthyer në një prioritet strategjik për qeverinë dhe një pjesë e konsiderueshme e investimeve tona mbrojtëse janë përqendruar pikërisht në këtë fushë. Sot mund të themi me bindje se jemi më të përgatitur. Kemi ngritur strukturat e nevojshme, kemi investuar në infrastrukturë parandaluese dhe kemi forcuar ndjeshëm bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë", - nënvizoi ministri i Mbrojtjes.
Sipas tij, kjo stërvitje është një provë konkrete e këtij progresi dhe e frymës rajonale të bashkëpunimit: "Qasje të tillë të përbashkëta, si kjo stërvitje, ndihmojnë më tej në mbledhjen e ekspertizës dhe kapaciteteve të reaguesve të parë, shmang mbivendosjen e përpjekjeve të ndihmës duke mundësuar një përgjigje kolektive më të fortë dhe më koherente", - u shpreh ministri Vengu.
Ndër të tjera, ministri i Mbrojtjes evidentoi faktin se, tashmë Shqipëria është pjesëmarrëse në Mekanizmit e Mbrojtjes Civile të BE dhe jep kontributin në tryezat, ku përgatiten politikat, masat, aktet e Mbrojtjes Civile për të gjithë hapësirën e Ballkanit e të BE-së, por edhe me ndihmë konkrete në terren.
Ministri i Mbrojtjes, shoqëruar edhe nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako dhe përfaqësues të vendeve partnere ndoqën nga afër edhe demonstrimet e forcave në një operacion të simuluar kërkim - shpëtimi, evakuim të banorëve dhe gjësë së gjallë si dhe largim uji me pompa me kapacitet të lartë, që u zhvillua në zonën e Dajçit, në Shkodër.
Në këtë demonstrim morën pjesë ekipe nga Shqipëria, Bullgaria, Italia, Greqia dhe ekipi i BE.
Stërvitja “Flood North Albania” shërbeu për të testuar përgatitjen dhe kapacitetet reaguese të forcave të Mbrojtjes Civile për përballimin e përmbytjeve, për të vlerësuar gatishmërinë e institucioneve vendase dhe për të forcuar koordinimin mes autoriteteve kombëtare dhe ndihmës ndërkombëtare.
Ky ushtrim shënon gjithashtu një sukses organizativ për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, e cila ka një rol kyç si lider i projektit, që financohet nga DG ECHO – Bashkimi Evropian (Directorate-General for European Civil Protection and Humanitarian Aid Operations). Projekti nisi në janar 2024 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2025, me pjesëmarrjen e vendeve partnere si Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qipro, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria./dritare.net

















