
Shkollat me rregulla të reja: Ndalohen celularët, oficeri i sigurisë bëhet i detyrueshëm!
Dritare.net
Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar një udhëzim që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar.
Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e teksteve shkollore, ndalimin e përdorimit të celularëve në shkolla, si dhe parandalimin e dhunës dhe bullizmit në institucionet arsimore.
Prioritet mbeten masat kundër dhunës dhe bullizimit, ku u është kërkuar ZVAP-ve dhe drejtoritë e shkollave të zbatojnë me prioritet Planin Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizimi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025.
Ndër masat konkrete të kërkuara janë: zbatimi i Kodit të Etikës së mësuesit (gusht 2025), planifikimi i veprimtarive ndërgjegjësuese për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, ngritja e këndit “Stop dhunës në shkollë” dhe ekipeve “antibulling” në çdo shkollë. Gjithashtu, theksohet nevoja për monitorimin e komisioneve të etikës dhe disiplinës, si dhe organizimi i veprimtarive sensibilizuese më 21 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës në Shkollë.
'ZVAP-të dhe drejtoritë e institucioneve arsimore të marrin masa për zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit “Për fuqizimin e mekanizmave të parandalimit të çdo forme dhune e bullizmi dhe rritjen e sigurisë në institucionet arsimore parauniversitare”, miratuar me urdhrin nr. 32, datë 21.1.2025, duke ndjekur me përparësi: a) zbatimin e Kodit të Etikës së mësuesit, gusht 2025; b) planifikimin vjetor të veprimtarive ndërgjegjësuese me fokus parandalimin dhe minimizimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit në institucionet arsimore; c) ngritjen e këndit “Stop dhunës në shkollë”; ç) ngritjen e ekipeve “antibulling” në çdo shkollë;
d) monitorimin dhe përmirësimin e punës së komisioneve të disiplinës dhe të komisioneve të etikës dhe të sjelljes, për trajtimin e rasteve të çdo lloji dhune në institucionet arsimore, dh) organizimin e veprimtarive ndërgjegjësuese të datës 21 nëntor, Ditës Kombëtare kundër Bullizmit; e) konsolidimin e rrjetit të mësuesve koordinatorë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në arsimin parauniversitar; ë) raportimin në DRAP, brenda datës 30.5.2026, sipas formateve të përcaktuara, të rasteve të dhunës në institucionet arsimore, të trajtuara nga komisionet e etikës, si dhe raportin informues për punën e bërë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. 2. AKAP-ja harton raportin përmbledhës të marrë nga DRAP-të dhe e dërgon në MAS, brenda datës 1.7.2026.', thuhet në udhëzim.
Po ashtu kërkohet që prej institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare.
'Institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore parauniversitare të marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për ndalimin e përdorimit të telefonit celular në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare. 2. Drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar të marrë masa për të përfshirë në rregulloren e brendshme mënyrën e organizimit dhe marrjen e masave shtesë për zbatimin korrekt të akteve nënligjore përkatëse', thuhet në udhëzim.
Ministria e Arsimit ka urdhëruar drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar të marrin masa për ngritjen dhe funksionimin e shërbimit psikosocial në institucionet arsimore, në zbatim të akteve ligjore në fuqi.
'Puna e punonjësve të SHPS-së në institucionet e arsimit parauniversitar të mbështetet në: a) “Standardet e përgjithshme profesionale të shërbimit psikosocial shkollor”, miratuar në qershor 2022; b) udhëzuesin për praktikën e punës së shërbimit psikosocial shkollor (rishikuar); c) parimet për etikën profesionale të shërbimit psikosocial shkollor (rishikuar). 4. Puna e oficerëve të sigurisë në institucionet e arsimit parauniversitar të mbështetet në: a) udhëzuesin për praktikën e punës së oficerëve të sigurisë (rishikuar); b) parimet për etikën profesionale të oficerëve të sigurisë në shkolla', thuhet në udhëzim.
Institucioneve arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, drejtuesve të IAP-ve dhe mësuesve u kërkohet që të ndjekin me përgjegjësi procesin e shpërndarjes dhe të shitjes së teksteve shkollore për të gjithë nxënësit para fillimit të procesit mësimor dhe të pajisjes me tekste shkollore në përdorim falas për klasat I–IX të arsimit bazë.
Për shpërndarjen e testeve shkollore udhëzimi përcakton se drejtoritë e IAP-ve duhet të afishojnë në vend të dukshëm listën e teksteve shkollore, ku të shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit për çdo klasë, vendi ku do të shpërndahen tekstet, si dhe periudha e shpërndarjes sipas një grafiku për çdo klasë.

















