
SHBA ndryshon politikën e jashtme: Diplomatët nuk do të komentojnë më për zgjedhjet
Dritare.net
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka urdhëruar një ndryshim të madh në qasjen tradicionale të diplomacisë amerikane, duke ndaluar komentet e diplomatëve mbi ndershmërinë, integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve në vendet e huaja.
Sipas një dokumenti të lëshuar nga Departamenti i Shtetit më 17 korrik dhe të shpërndarë në të gjitha postet diplomatike amerikane, Rubio ka përcaktuar se SHBA nuk do të lëshojë më deklarata publike mbi proceset zgjedhore jashtë vendit, përveç rasteve kur ekziston një interes “i qartë dhe bindës” i politikës së jashtme.
Në dokument theksohet se në situatat kur komentet janë të nevojshme, ato duhet të kufizohen në përgëzimin e kandidatit fitues dhe theksimin e interesave të përbashkëta ndërkombëtare.
“Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në vënien në dukje të interesave të përbashkëta të politikës së jashtme”, thuhet në udhëzim.
Ky vendim përfaqëson një largim të dukshëm nga politika tradicionale e Shteteve të Bashkuara për promovimin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në botë, një shtyllë që ka qenë pjesë e pandarë e diplomacisë amerikane për dekada.
Vendimi pritet të ngjallë reagime si brenda SHBA-së ashtu edhe në skenën ndërkombëtare, veçanërisht nga organizatat dhe vendet që kanë parë në Uashington një aleat për mbështetjen e institucioneve demokratike dhe transparencës zgjedhore./L.F/dritare.net

















