
Shakohoxha: Igli Tare do ta bëjë sërish Milanin e madh!
Dritare.net
Gazetari sportiv Dritan Shakohoxha, i ftuar në emisionin Dekalog të Roland Qafokut në DritareTv, foli me krenari për kalimin e Igli Tares si drejtor sportiv te AC Milan, një nga klubet më të mëdha në historinë e futbollit.
Shakohoxha tha se për shqiptarët, ky është një moment krenarie kombëtare, duke theksuar se Tare është një nga figurat më të rëndësishme në futbollin modern shqiptar.
"Shqiptarët kanë qenë historikisht tifozë me Milanin, jo vetëm për sukseset e tij të mëdha, por edhe për ngjyrat kuqezi që na afronin emocionalisht. Tani, është edhe më e veçantë, sepse një shqiptar është bërë drejtor i klubit,"- u shpreh Shakohoxha.
Ai rrëfen se babai i tij dhe babai i Igli Tares kanë qenë shokë klase, dhe se lajmi për emërimin e Tares u festua edhe në një drekë private nga miqtë e familjes.
"Ishte një festë e vogël, por shumë domethënëse. Sepse Igli është krenaria jonë," -shtoi ai.
Shakohoxha e vlerësoi Taren si një drejtues të jashtëzakonshëm, duke theksuar kontributin e tij të madh te Lazio, ku arriti suksese të mëdha me buxhet minimal dhe nën presione të mëdha nga tifozët.
“Igli pa buxhet të madh bëri mrekulli. Krijoi yje nga anonimë, siç është rasti i trajnerit Simone Inzaghi”- tha ai.
Ai shtoi se Maldini vetë e kërkoi me ngulm Taren te Milani, por për korrektesë ndaj Lazios, Tare refuzoi për një kohë të gjatë.
“E ka refuzuar me elegancë gjysmën e klubeve të Italisë dhe Gjermanisë. E dinte që i vinte një ditë e tillë, dhe kjo është dita.”
Shakohoxha u shpreh i bindur se Igli Tare do ta rikthejë Milanin në majat e futbollit europian.
“Jam 1000% i sigurt që Igli do ta bëjë sërish Milanin të madh. Dhe mos u çudisni nëse së shpejti në skuadrën kuqezi do të shohim edhe ndonjë futbollist shqiptar.”- përfundon Shakohoxha/E.P-dritare.net

















