
Sekreti pas jufkave të Dibrës. Ju tregojmë si t’i përgatisni!
Dritare.net
Në udhëtimin e Dritare TV në Dibër u ndalëm në agroturizmin e Nënë Dashurisë, e cila mes gatimeve të shijshme që ofron, na tregoi sekretet që qëndrojnë pas mbretëreshës së Dibrës, jufkës.
Gazetarja e njohur Rudina Xhunga solli një bisedë të këndshme me Nënë Dashurinë teksa hap pas hapi ajo tregoi përgatitjen e jufkave. Nënë Dashuria na tregoi se jufkat bëheshin me qumësht, miell edhe vezë por nuk ishin makarona.
Ajo na rrëfeu gjithashtu “nazet” që ky gatim tradicional kishte ku mes tyre ishte skuqja e jufkave deri në ngjyrë të kuqerremtë dhe më pas zjerja e tyre në vatër, jo më brenda në furrë. Nënë Dashuria na tregoi edhe për lisënin, një erëz karakteristike e Malësisë së Dibrës që u jepte jufkave aromën fantastike.
“Jufkat lëndë të parë kanë qumështin, vezët dhe miellin. Përgatiten dhe duan tre jave që të thahen. Komplet kati i parë i bujtinës shërben për të tharë jufkat. Do i shtrojmë jufkat në tepsi sipas personave për të cilet po gatuajmë dhe sipër do i hedhim gjalpë. Më pas në furrën e parangrohur do t’i fusim që të marrin një skuqje të lehtë. Jufkat nuk janë makarona. Janë jufka, janë të veçanta. Prodhohen në mënyrë artizanale dhe kanë shumë mundim. Për ta ngrënë, jufka hahet shumë shpejt, por për ta përgatitur do kohë. Ka një shprehje për jufkën në Dibër: lum kush e ha dhe mjerë kush e bën. Dikur mblidheshin nga 15 gra dhe shkonin në shtëpitë e njëra -tjetrës për ta përgatitur dhe zakonisht preferohej periudha korrik-gusht. Kur jufka të ketë marrë ngjyrën e kuqerremtë e heqim nga furra. Jufkat janë traditë e përcjellë brez pas brezi, i kam mësuar nga gjyshja. Në tepsinë me jufkat e skuqura do të shtojmë lëngun e pulës që e kemi zjerë. Në Dibër njihet me emrin petas, jo jufkë. Ky është emri i ri. Do shtojmë lëngun e pulës derisa të mbulohen jufkat. Sekreti qëndron në mosfutjen e tepsisë në furrë por skuqjen dhe zjerjen në zjarr te ngadaltë pasi nuk do zjehen mirë në furrë. Sipër, në fund, do të shtojmë pulën të cilën e kemi zjerrë dhe lëngun e përdorëm për të regjur jufkat pak më parë. Më pas do e fusim për pak minuta në furrë sa të marri ngjyrë edhe mishi. Sipër sipas dëshirës mund t’i hedhim lisën, nje erëz karakteristike qe rritet në Malësinë e Dibrës. Tashmë jufkat janë gati dhe shërbehen të nxehta”, tregoi Nënë Dashuria./M.K/dritare.net

















