
Berisha dhe Malltezi në bankën e të akuzuarve. Gjyqi nis më 30 qershor
Dritare.net
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të përballen me drejtësinë më 30 qershor në orën 10:00, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), për çështjen e shumëpërfolur të privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”.
Së bashku me ta, në bankën e të akuzuarve do të ulen edhe bashkëpunëtorët e dyshuar: biznesmeni Fatmir Bektashi, trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, si dhe financierja Andia Pustina. Po ashtu, kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina” do të gjykohen për pastrim parash.
Berisha, i cili do të jetë zyrtari më i lartë në historinë politike shqiptare që përballet me një proces penal në themel, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, në një aferë ku dyshohet se ka përdorur funksionin për të favorizuar pasurimin e familjes së tij përmes dhëndrit Malltezi. Ky i fundit përballet me akuzat për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Gjykimi do të udhëhiqet nga trupa gjykuese e përbërë nga Elsa Ulliri (kryesuese), Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Asnjë prej të pandehurve nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka parashikon një proces të gjatë me administrim provash dhe dëshmitarë.
Ndërkohë, SPAK ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri të shumta të Jamarbër dhe Argita Malltezit, përfshirë apartamente, vila, troje dhe llogari bankare, sekuestro që është konfirmuar nga të gjitha nivelet e drejtësisë deri në Gjykatën Kushtetuese.
Hetimet për këtë çështje mbeten të hapura, ndërsa pritet zbardhja e rolit të ish-kryeministrit Berisha në një ndër aferat më të bujshme të tranzicionit shqiptar./L.F-dritare.net

















