Rudina Xhunga drejton panelin për diasporën mbarëshqiptare!
Dritare.net

Paneli për diasporën mbarëshqiptare në kuadër të Samitit të Katërt u drejtua nga Rudina Xhunga, gazetare dhe drejtuesja e platformës mediatike DritareTV, e cila përcolli një mesazh të fortë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në të ardhmen e kombit. Në hapje të diskutimit, Rudina Xhunga u shpreh se angazhimi i saj ndaj diasporës është i hershëm dhe tashmë i konkretizuar edhe përmes DritareTV.
Ajo theksoi se ky panel përfaqëson një nga momentet më të rëndësishme të bashkëpunimit mbarëshqiptar, duke vënë në dukje nivelin e lartë të pjesëmarrjes dhe rëndësinë e diskutimeve. Xhunga vlerësoi rëndësinë e Samitit të Katërt të Diasporës, duke theksuar rritjen e interesit dhe organizimit nga viti në vit.
"Fakti që jemi bashkë dhe që ndodhemi në Samitin e Katërt dëshmon që po bëjmë gjënë e duhur. Kjo tregon se shumë prej atyre që kanë ikur jo vetëm kanë në plan të kthehen, por tashmë po vendosin piketat e para: duke dhënë një dorë, duke thënë një fjalë. Samiti është pikërisht për të thënë fjalë. Ky është Samiti i Katërt dhe është një nga samitet më të rëndësishme, sepse jo vetëm jemi më shumë, por duket se jemi organizuar edhe më mirë se herët e tjera."
Në panel morën pjesë figura të rëndësishme politike dhe institucionale nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare në Evropë, duke e kthyer diskutimin në një platformë të fuqishme bashkëpunimi.
Paneli u fokusua në bashkëpunimin ndërinstitucional, krijimin e strukturave të përbashkëta për diasporën dhe shkëmbimin e eksperiencave mes vendeve shqiptare, duke dhënë një mesazh të fortë uniteti dhe optimizmi për të ardhmen./K.C/dritare.net