Ylli i vogël i Teatrit të Kukullave, Misheli: Skena është bota ime
Dritare.net

Në Teatrin e Kukullave, mes personazheve dhe duartrokitjeve, spikat një talent i veçantë: Misheli, vetëm 9 vjeç, por me një siguri dhe pasion që e bëjnë të duket si aktor i formuar.
I angazhuar në shfaqje si “Mary Poppins”, ai rrëfen se skena është vendi ku ndihet më i lirë dhe më i përqendruar, pa emocione që e pengojnë.
“Unë nuk kam emocione fare në skenë. Nuk e vë re publikun, thjesht vazhdoj dhe mbaj mend tekstin tim,” shprehet Misheli në një intervistë për gazetaren Lorena Fjolla në DritareTV, duke treguar qetësinë e një aktori të lindur për skenë.
I zbuluar nga mësueset dhe i nxitur nga prindërit, ai ka kaluar nga kurset e Qendrës Kulturore për Fëmijë në skenën e teatrit, ku tashmë ka marrë pjesë në disa shfaqje dhe audicione të suksesshme.
Me një rol në “Mary Poppins” që e ka bërë të spikasë, Misheli tregon se e mëson tekstin me lehtësi dhe dashuri:
“Kur i mësoj tekstet, i mësoj me shumë kënaqësi.”
Përtej aktrimit, ai ka edhe një mesazh të fortë për bashkëmoshatarët e tij: më pak kohë me telefon dhe më shumë përkushtim ndaj artit dhe pasioneve.
“Fëmijët duhet t’i lënë pak telefonat dhe t’i përkushtohen teatrit dhe aktiviteteve që i zhvillojnë,” thotë ai me maturi të habitshme për moshën e tij.
Në fund, Misheli nuk fsheh ëndrrën e madhe: të bëhet aktor me famë botërore, duke nisur rrugëtimin e tij nga skena ku sot po rritet si një “yll i vogël” i teatrit shqiptar./K.C/dritare.net