
Rreth 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen nesër provimit të Gjuhës së Huaj!
Dritare.net
Nesër nisin zyrtarisht “ethet” për maturantët, pasi japin testin e parë me detyrim, atë të Gjuhës së Huaj, duke startuar sezonin e provimeve që përfundon më 24 qershor.
Në total janë 27 mijë maturantë që u nënshtrohen këtyre provimeve, të cilët jo vetëm mbyllin siparin e një cikli 3-vjeçar, gjimnazin, por edhe iu shërben si trampolinë drejt universitetit. Rezultatet e fundit në këto provime, sikundër gjithë vitet e shkollimit do të jenë përcaktuese për të fituar një kuotë studimi në universitetet shtetërore dhe private në vend.
TESTIMI
Provimi i standardizuar nis në orën 10:00 njëkohësisht nga 145 qendrat e testimit. Maturantët kanë 2 orë e gjysmë kohë për t’u dhënë zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim të provimit të gjuhës angleze. Ashtu si dhe vitet e kaluara, teza e provimit hartohet sipas tri niveleve të vështirësisë. Ndërkohë që maturantët nisin procesin më të rëndësishëm për mbylljen e gjimnazit dhe orientimin drejt universiteteve, Rrjeti Akademik Shqiptar po përgatitet për hapjen e portalit “U-Albania”.
“Faza e parapërgatitjeve është hapja e portalit ‘U-Albania’. Çdo vit përsëritet nga e para, pasi ne kemi një databazë që ngarkohet çdo vit nga matura e vitit në përfundim, si dhe maturantët e viteve të kaluara që duan të aplikojnë për në universitet”.
Katër provimet e detyruara të Maturës Shtetërore zhvillohen me një javë distancë nga njëri-tjetri. Pas Gjuhës së Huaj, më 10 qershor do të zhvillohet provimi kombëtar i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa më 17 qershor testi për lëndën e Matematikës. E pasi të rinjtë të kenë marrë disa prej notave të provimeve tëhvilluara, më 24 qershor japin testin e fundit, atë të Lëndës me Zgjedhje, provim që tregon edhe orientimin shoqëror apo shkencor të maturantëve që do të aplikojnë në universitete.
MATURA 2025
Arjan Xhelaj, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, tregon se të dhënat e maturantëve do të ngarkohen në sistem në fund të qershorit dhe pas një muaji hapet kalendari i aplikimit për në shkollat e larta, sërish deri në 10 degë të preferuara për çdo kandidat.
“Procesi i aplikimit është gjithmonë fundi i korrikut, duke pasur parasysh që merr një kohë të caktuar procesi i korrigjimeve dhe ankimimeve të provimeve të Maturës Shtetërore. Nga data 29 apo 30 dhe 4-5 gusht është java për të bërë aplikimin në universitet. Nuk ka ndryshuar asgjë në proces, janë po dhjetë preferenca. Maturantët mund të shikojnë në portalin ‘u-Albania’ që është i hapur universitetet dhe programet që ato ofrojnë. Çdo program i ri që na vjen nga Ministria e Arsimit dhe licencohet, hidhet në sistem”, – nënvizon Xhelaj.
Para nisjes së Maturës Shtetërore, ministrja e Arsimit ka kërkuar nga administratorët e provimeve të respektojnë të gjitha rregullat e sigurisë që nga procesi i hapjes së tezës deri në përfundimin e provimit. Referuar të gjitha viteve të kaluara, tezat e provimit janë shpërndarë në rrjetet sociale pas nisjes së Provimeve Kombëtare, ku në disa raste janë publikuar edhe pyetjet e zgjidhura.

















