
Roli i të dashurës së Safet Bajrit në vrasjen e Fatbardh Licit!
Dritare.net
Pesë ditë pas arrestimit të Safet Bajrit për vrasjen e Fatbardh Licit në 2018 në Shkodër, në pranga ka rënë edhe e dashura e tij Eria Ago nën akuzën “përkrahje e autorit të krimit.” E dashura e Safetit u arrestua më 26 shkurt, ndërkohë që më 21 shkurt vetë Bajri u vu në pranga si pjesë e grupit të strukturuar kriminal që organziuan dhe vranë Fatbardh Licin.
Por, cili ishte roli i të dashurës së Bajrit asokohe? Burimet bëjnë me dije se Ago ka qenë personi që pas vrasjes transportoi Astmer Bilalin nga Shkodra në Tiranë, pra ka qenë duke drejtuar makinën pas aksionit për ekzekutimit e xhaxhait të Ibrahim Licit.
SPAK, mësohet se ka në dorë edhe biseda që implikojnë rolin e saj në këtë ngjarje, biseda mes saj dhe Safet Bajrit. Ndërkohë, një ditë para ekzekutimit të Licit në lagjen “Kiras” në Shkodër, Bajri dhe e dashura kanë qenë bashkë duke festuar në një lokal në Tiranë dhe në orët e para të mëngjesit të 10 gushtit 2018 janë nisur drejt Shkodrës. Këtë ditë është kryer edhe ekzekutimi i Licit, nga autorët e dyshuar Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Safet Bajri. Mjeti i përdorur për vrasjen është djegur në zonën e Dobraçit, ndërkohë pas aksionit dyshohet se ish-misi ka larguar Bilalin nga Shkodra në Tiranë. Për të njëjtën ngjarje, Ago është marrë në pyetje edhe në 2018, por tashmë ka rënë në pranga me urdhër të prokurores së SPAK, Elida Kaçkini.
Në dosjen e SPAK thuhet se “më datë 10 Gusht 2018, në orët e para të mëngjesit, Safet Bajri (Rustemi), Astmer Bilali dhe Eria Ago, e dashura e Safet Bajrit janë nisur drejt Shkodrës me dy automjete, njëri i markës “Benz” me targë AA 989 TE, në përdorim të Safet Rustemit dhe tjetri i markës “Volkswagen” me targë AA 383 PN, në përdorim të Denis Brajoviq. Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Safet Bajri dhe Astmer Bilali, kanë zbritur nga makinat e tyre dhe kanë përdorur një automjet të vjedhur të markës ‘Benz’ ngjyrë gri, me targa AA 760 FX. Automjet me të cilin janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit Sokol Lici, këtu ku pothuajse çdo ditë, në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, që është njëkohësisht edhe xhaxhai i Ibrahim Licit. Pasi kanë parë që viktima ka qenë i ulur jashtë lokalit, automjeti është afruar pranë tij. Këtu nga dera e pasagjerit ka zbritur, dyshohet Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur”.
Mësohet se Ago ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e shkallës së parë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj saj si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “përkrahje të autorit të krimit”. Mbrojtësi ligjor kundërshton masën shtrënguese me argumentin se provat e SPAK nuk qëndrojnë, shtuar këtu edhe faktin që Ago ndodhet e shtruar në spitalin e burgut për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.
Gjatë seancës për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë, Eria Ago ka mbajtur qëndrim mohues lidhur me pretendimet e prokurorisë së posaçme, duke thënë që ajo nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se ditën kur është vrarë Fatbardh Lici ka qenë në Tiranë dhe jo në Shkodër ndërsa prokuroria pretendon se tabulatet telefonike tregojnë që ajo ka qenë në Shkodër.
Sipas informacioneve, Ago është marrë në pyetje lidhur me këtë çështje që në kohën kur ndodhi ngjarja, por është lënë e lirë. Pritet që në shkallën e dytë të gjyqësorit të hidhet shorti elektronik për të përcaktuar gjyqtarin që do marrë në shqyrtim ankimin, ku më pas ky i fundit do caktojë datën e seancës. Për të njëjtën ngjarje, e ankimuar masën në Apel edhe tre të dyshuarit për vrasjen e Licit, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri.
Ago në botën e spektaklit njihet edhe si modele dhe përfaqësuese e Shqipërisë në “Miss Tourism Quin 2013”. Përfshirja e Eria Ago në problemet me drejtësinë daton dhe më herët. Ajo është përmendur edhe në përgjimet që çuan në burg Hermes Nikajn, i njohur ndryshe si “Zogu i Tiranës” si të përfshirë në një rrjet prostitucioni në vitin 2020.
Në atë kohë Ago reagoi duke thënë se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ajo pretendonte se e gjitha ishte shpifje për të hedhur baltë mbi figurën e saj dhe se nuk kishte nevojë për para.
Si vra Fatbardh Lici?
SPAK e akuzon Safet Bajrin bashkë me kushëririn e tij Behar Bajri, dhe të besuarin Astmer Bilali, të dy në burg për krime të tjera, vranë si grup i strukturuar kriminal, xhaxhain e Ibrahim Licit, rivalit të tyre në Shkodër, 7 vite më parë.
Fatbardh Lici, është vëlla i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim dhe Hamza Licit. 53-vjeçari u ekzekutua mëngjesin e 10 gushtit 2018, me breshëri plumbash teksa ndodhej në një kafene i shoqëruar nga persona të tjerë në lagjen Kiras të Shkodrës. Lici u qëllua nga një person që zbriti nga një automjet tip “Benz”, pa targa. Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar 2018 dhe dyshimet u ngritën se mes fiseve Bajri e Lici kishin nisur përplasjet./shqiptarja.com

















