
Mjekja urologe në DritareTV: Një mashkull mbi 50 vjeç duhet të bëjë patjetër kontroll te urologu
Dritare.net
Në emisionin “Dritarja e Doktorit” në DritareTV, mjekja urologe dhe androloge Dr. Drilona Ndrevataj, me eksperiencë shumëvjeçare në Itali, theksoi rëndësinë e kontrollit urologjik si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke vënë në pah problematikat më të shpeshta që hasen në këto fusha.
“Urologjia dhe andrologjia janë specializimet e mia, që prekin si meshkujt, ashtu edhe femrat në faza të ndryshme të jetës”, tha Dr. Andrevataj, duke sqaruar se urologjia merret me aparatin urinar, ndërsa andrologjia me aparatin gjenital mashkullor.
Ajo u ndal te tabutë që ekzistojnë ende në lidhje me problemet mashkullore.
“Mashkulli heziton të shkojë te mjeku, sidomos kur bëhet fjalë për organet gjenitale. Në shumicën e rasteve është gruaja ajo që e detyron të bëjë një vizitë urologjike”, tregoi doktoresha.
Një nga mesazhet kryesore të saj ishte rëndësia e parandalimit:
“Një mashkull mbi 50 vjeç duhet të bëjë kontroll te urologu edhe pa pasur asnjë simptomë. Kanceri i prostatës në shumicën e rasteve diagnostikohet pa pasur shqetësime, dhe kur shfaq simptoma, zakonisht është vonë.”
Dr. Andrevataj trajtoi gjithashtu temën e deficitit erektil, që sipas saj ka dy natyra: psikologjike në moshat e reja dhe organike në moshat më të mëdha. “Stresi, presioni për performancë, por edhe sëmundje si hipertensioni, diabeti dhe obeziteti ndikojnë drejtpërdrejt në jetën seksuale të një mashkulli.”
Një tjetër çështje e prekur ishte infertiliteti mashkullor, që shpesh lidhet me stilin e jetesës. “Duhani, alkooli, obeziteti, droga dhe stresi janë faktorë që ndikojnë negativisht në cilësinë e spermës. Ndaj është thelbësore të ndryshohet stili i jetesës.”
Ajo foli edhe për një ndër shkaqet më të zakonshme të infertilitetit: varikoçeli, një zgjerim i enëve të gjakut të testikujve.
“Edhe pse librat nuk e thonë me siguri, në praktikë është vënë re përmirësim i fertilitetit pas operimit të varikoçelit”, theksoi ajo.
Sa i përket femrave, Dr. Andrevataj vuri në dukje se cistitet rikorrente (infeksione të fshikëzës së urinës) janë ndër arsyet më të zakonshme për të cilat i drejtohen urologut.
“Fatkeqësisht, infeksionet urinare mund të prekin deri në 90% të femrave gjatë jetës. Kur bëhen të përsëritura, ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e jetës dhe duhet trajtuar nga urologu.”
Sipas saj, modifikimi i stilit të jetesës, ushqyerja e shëndetshme dhe pirja e mjaftueshme e ujit janë hapa thelbësorë për parandalimin dhe përmirësimin e shëndetit urologjik, si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt.
“Urinimi pas marrëdhënies seksuale ndihmon në parandalimin e infeksioneve, është i vërtetë dhe i rekomandueshëm”, shtoi ajo në fund.
Dr. Andrevataj apeloi për më shumë ndërgjegjësim, vizita të rregullta dhe thyerjen e tabuve rreth shëndetit seksual dhe urologjik./K.C/dritare.net

















