Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mesazhi që Guido do donte të na linte!

Mesazhi që Guido do donte të na linte!

Nga Xhensil Shkëmbi

Sot, teksa përcollëm vëllain tonë në banesën e fundit, fotografin e talentuar dhe shpirtin e ndjeshëm që ishte Guido, sytë më ndalën në një pikturë të vogël e bërë nga vetë ai. E donte artin me pasion. Kishte ndjekur shkollën e pikturës, donte fshatin, natyrën, fotografinë, buzëqeshjen dhe gjithçka që kishte gjallëri.

E donte jetën. Por brenda vetes, siç kemi kuptuar vetëm këto ditë, mbante një barrë të padukshme që nuk e ndau me askënd. Nuk ishte i diagnostikuar me atak paniku, por ata që e njohën nga afër, pas asaj që ndodhi, filluan të rrëfejnë disa shenja që ndoshta lidhen me ankthin apo vështirësi emocionale. Ndoshta ishte egoja rinore, dëshira për t’u dukur gjithmonë “i fortë”, që e pengoi të fliste. Dhe pikërisht kjo është një nga plagët më të mëdha që prekin të rinjtë sot: heshtja.

Mesazhi që Guido do donte të na linte!

Në një çast dobësie, Guido u dorëzua. Vetëm 19 vjeç. Dhe nëse do të kisha edhe një kafe tjetër me të, jam i sigurt se do më kërkonte ta shkruaja këtë:

Mos kini turp të tregoni se nuk jeni mirë.
Mos mendoni se do gjykoheni nëse flisni për ankthin, trishtimin, pasigurinë. Nuk është dobësi të kërkosh ndihmë, është pjekuri. Është guxim. Depresioni nuk është modë. Nuk është trill. Është real dhe kërkon kujdes, si çdo sëmundje tjetër.

Mos u mbyllni në veten tuaj.
Shpesh, të rinjtë mendojnë se do ta kalojnë vetë, se do kalojë me kohën. Por ndihma ekziston. Familja, miqtë, profesionistët, ka njerëz që duan të dëgjojnë, që duan t’ju ndihmojnë. Ju nuk jeni vetëm.

Zgjidhni jetën.
Edhe kur duket e errët. Edhe kur s’e shihni dritën. Edhe kur dhimbja nuk ka emër. Jeta ka kthesa që sot nuk i shihni, por nesër mund të ju befasojnë. Jeta nuk është një moment. Është një rrugëtim. Dhe ju duhet të jeni pjesë e tij.

Dejvi, një shoku im më tregoi se janë me dhjetëra të rinj që vetëm në Korçë vuajnë nga të tilla mendime. Mbase jemi lodhur duke pritur nga instancat përkatëse dhe duhet të bëjmë vet diçka për veten tonë. Për shokët tanë. Për bashkëmoshatarët tanë.

Në emër të Guidos dhe çdo të riu që hesht, po u them me gjithë zemër; flisni. Kërkoni ndihmë. Zgjidhni jetën!