
Rriten fitimet e Ryanair, fundoset Wizz Air
Dritare.net
Sot Wizz Air humbi pothuajse 27% të vlerës së aksioneve pas publikimit të rezultateve financiare për vitin fiskal 2025, i cili përfundoi në mars. Kjo rënie i zuri në befasi tregjet dhe pasqyroi një zhgënjim të fortë, pavarësisht një rritjeje të lehtë të të ardhurave, sipas World Finance.
Kompania ajrore low-cost regjistroi një fitim neto prej 213.9 milionë euro, shumë më pak krahasuar me 365.9 milionë eurot e një viti më parë, një rënie prej 41%. Ky rezultat ka ndikuar negativisht te pritshmëritë e investitorëve, edhe pse të ardhurat totale u rritën me 3.8%, duke arritur në 5.27 miliardë euro, të ndikuara nga përmirësimi i çmimeve.
CEO-ja Jozsef Varadi e përshkroi vitin që sapo përfundoi me dy fjalë: “qëndrueshmëri dhe transformim”. Në një kontekst me vështirësi të vazhdueshme, ai theksoi se kompania është dashur të forcohet nga ana strukturore dhe të rrisë fleksibilitetin e modelit të saj operativ.
“Edhe pse shpesh këto situata përshkruhen si ‘më lehtë të thuash se sa të bësh’, ngjarjet e vitit të kaluar e vunë në provë si kompaninë tonë, ashtu edhe drejtuesit. Ne dolëm më të fortë, më të mençur dhe më të përgatitur.",- tha ai.
Arsyet e rënies
Rënia e fitimit neto është shkaktuar nga probleme teknike dhe operacionale:
• U detyruan të ndalonin 37 avionë për shkak të defekteve në motorët Pratt & Whitney, riparime të ngadalta dhe të kushtueshme.
• Kostot operative (pa përfshirë karburantin) u rritën me 19%, më shumë sesa pritej.
• Kompania nuk dha parashikime për vitin aktual, duke shtuar pasigurinë mes investitorëve.
Krahasimi me konkurrentët
Ndërkohë, konkurrentët e Wizz Air kanë performuar më mirë:
• Ryanair përfundoi vitin fiskal me një fitim midis 1.55 dhe 1.85 miliardë euro, ndonëse me një rënie prej 16% për shkak të konflikteve me disa agjenci udhëtimesh online.
• EasyJet parashikon fitime rekord prej 703 milionë £, falë një rritjeje prej 8% të pasagjerëve dhe një sektori turistik në rritje.
Ky krahasim tregon se Wizz Air po has më shumë vështirësi sesa konkurrentët e saj të drejtpërdrejtë./dritare.net

















