
Rast i ububushëm! Rama denoncon vendimin e gjykatësit: Dëm i hapur për shtetin
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta ndaj vendimit të gjykatësit Boshku, i cili ka urdhëruar rikthimin në detyrë të ish-drejtorit rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Vlorë, të shkarkuar më herët dhe të kallëzuar në Prokurori për ndërtim pa leje dhe mashtrim.
Në një postim në rrjete sociale, Rama e cilësoi vendimin si një “sport tradicional të gjykatësve të Drejtësisë së Vjetër” që, sipas tij, po përsëritet edhe nga disa gjykatës të rinj.
“Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku ka vendosur të kthejë në detyrë një shkelës brutal të ligjit, i kapur në flagrancë dhe i dorëzuar në Prokurorinë e Sarandës. Rasti është i ububushëm”, shkroi Rama.
Kryeministri kujtoi se ish-drejtuesi i AMP-së jo vetëm kishte marrë pjesë në një ndërtim pa leje në Ksamil, por edhe kishte falsifikuar dokumente, duke pretenduar se ndërtimi ishte bërë në vitin 2018, kur në fakt provat satelitore tregonin se ishte ndërtuar pas vitit 2020. Për këtë arsye, ai u shkarkua nga detyra dhe dosja iu referua Prokurorisë.
“Ndërkohë që shteti kërkon ndëshkimin ligjor të tij, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku, kërkon nga shteti ta ulë sërish në karrigen e drejtorit dhe madje t’i japë paga dëmshpërblimi”, shtoi Rama.
Ai njoftoi se Ministria e Drejtësisë do ta çojë rastin në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD).
“Mesazhi im është i qartë: kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke përdorur pavarësinë e gjyqësorit si pavarësi nga vetë drejtësia, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe para opinionit publik”, përfundoi Rama./L.F-dritare.net

















