
Gara për kreun e ri të SPAK, KLP hap zyrtarisht procesin
Dritare.net
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar se ditën e mërkurë, më 17 shtator 2025, do të hapë zyrtarisht garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ky proces vjen në prag të përfundimit të mandatit të Altin Dumanit, i cili e ka udhëhequr këtë strukturë që nga viti 2022.
Sipas njoftimit, mbledhja do të zhvillohet në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku do të jenë të pranishëm anëtarët e KLP-së, përfaqësues nga institucione të tjera të drejtësisë, si dhe organizata partnere ndërkombëtare.
Njoftimi i plotë:
"Kjo mbledhje do të organizohet në sallën e mbledhjeve në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe përfaqësuesve nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Media është e ftuar të jetë e pranishme. Rendi i ditës: 1. Miratimi i Procesverbalit të mbledhjes plenare të datës 04.09.2025; 2. Diskutimi/miratimi i Projekt-vendimit “Për shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”; 3. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Françesk Ganaj”; 4. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Ermira Manelli”; 5. Diskutimi/miratimi i “Projektraportit të Vlerësimit Etik dhe Profesional për prokurorin Hysni Mulaj”. Të tjera (pyetje/diskutime) Sektori i TIK, Digjitalizimit dhe Statistikës bën publikimin e kësaj axhende në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net

















