
PD letër ambasadave: Kuvendi po minon integrimin evropian me ndryshimet e njëanshme
Dritare.net
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një letër drejtuar nëntë ambasadave në Tiranë, përfshirë ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian, ka ngritur shqetësimin mbi ndryshimet e propozuara nga Edi Rama në Rregulloren e Parlamentit gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së në 11 shtator.
“Në 11 shtator, gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama deklaroi se një grup pune, i përbërë vetëm nga anëtarë të Partisë Socialiste, ka punuar mbi disa ndryshime që duhet të bëhen në emërtimin, përbërjen dhe drejtimin e komisioneve parlamentare. Asnjë deputet opozitar nuk ishte pjesë e këtij grupi pune, dhe as nuk u ftua që të bëhej pjesë. Propozimet e njëanshme të bëra nga kryeministri Rama përfshinin rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11, si dhe shkrirjen e komisionit për integrimin evropian me komisionin për punët e jashtme. Komisioni i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të drejtohet nga mazhoranca socialiste, një devijim nga tradita e gjatë parlamentare dhe praktika demokratike.”
Sipas Bardhit, heqja e drejtimit të Komisionit për Integrimin Evropian përfaqësuesve të opozitës dëmton procesin e integrimit dhe përjashton opozitën nga ky proces.
“Përveç faktit se këto propozime nuk u paraqitën nëpërmjet procedurës së rregullt parlamentare, por gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ato injorojnë tërësisht modelet e vendeve të Balkanit Perëndimor, në të cilat çdo parlament ka një komision të dedikuar për integrimin evropian, i udhëhequr nga opozita (Kosova, Mali i Zi dhe Serbia). Qëllimi kryesor i këtyre komisioneve është të garantojë shqyrtimin e duhur të çdo projektligji lidhur me integrimin evropian, ashtu si edhe të sigurojë një rol domëthënës të opozitës në procesin e integrimit.”
Kreu i Grupit të PD-së thekson se miratimi i ndryshimeve të Rregullores në mënyrë të njëanshme, veçanërisht ndryshimeve që prekin integrimin evropian, dëmton frymën e bashkëjetesës demokratike, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.
“Rregullorja e Parlamentit garanton bashkëjetesën demokratike të partive politike dhe çdo amendament duhet të bëhet nëpërmjet dialogut, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes. Çdo propozim duhet të shqyrtohet nga Këshilli Parlamentar i Rregullores, Mandateve dhe Etikës, i cili përbëhet nga 10 deputetë, në barazi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Ky konfigurim ka për qëllim që çdo amendament të mos miratohet nëse nuk ekziston një marrëveshje ndërpartiake. Ndërkohë që ky parim është i rëndësishëm për të gjitha ndryshimet, ai është veçanërisht i rëndësishëm për ato ndryshime që ndikojnë integrimin evropian, i cili është dhe duhet të mbetet një çështje e dakordësisë kombëtare në vend të kontrollit partiak.”
Bardhi, në emër të Grupit të PD-së kërkon ndërhyrjen e ambasadave për ndalimin e miratimit në mënyrë të njëanshme të këtyre ndryshimeve nga mazhoranca socialiste, duke u ulur paraprakisht në tryezën e dialogut me përfaqësuesit e opozitës.
“Për këto arsye, me mirësjellje nxisim shkëlqesitë tuaja që të merrni parasysh këto zhvillime dhe në cilësitë tuaj si partnerë dhe miq të çmuar të vendit tonë, të inkurajoni rivendosjen e gjithëpërfshirjes dhe konsensusit në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë. Ruajtja e traditave demokratike nuk është vetëm një çështje me rëndësi të brendshme, por një kërkesë e domosdoshme për rrugëtimin e integrimit evropian të Shqipërisë”./K.C/dritare.net

















