Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama vs. Farage. Lufta e Ftohtë për shqiptarët

Rama vs. Farage. Lufta e Ftohtë për shqiptarët

Në një nga përplasjet më të spikatura të javëve të fundit në arenën publike ndërkombëtare, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është vënë përballë ish-eurodeputetit dhe një prej arkitektëve të Brexit-it, Nigel Farage, pas deklaratave të këtij të fundit ku pretendonte se “një në 50 shqiptarë në Britani është në burg”. Reagimi i menjëhershëm i Ramës, i shoqëruar me ironi, të dhëna zyrtare dhe sfida publike, shënoi jo vetëm një moment të fortë diplomatik, por edhe një mbrojtje të qartë të imazhit të shqiptarëve në emigracion.

Gjithçka nisi kur Farage, në një deklaratë të dhënë për një media britanike, deklaroi se nga rreth 53 mijë shqiptarë që jetojnë në Britani, mbi 1.200 janë të burgosur, duke sugjeruar se Shqipëria duhet të tregojë "vullnet të mirë" dhe t’i marrë mbrapsht shtetasit e saj. Ky pohim, i bazuar në të dhëna të paqarta dhe të interpretuara lirshëm, u bë menjëherë burim polemikash dhe kritikash për gjuhën stigmatizuese dhe shpërfaqje të politikave të frikës që kanë karakterizuar periudhën post-Brexit në Britani.

Rama vs. Farage. Lufta e Ftohtë për shqiptarët

Rama nuk e la pa përgjigje. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ai sfidoi Farage-in publikisht, duke i ofruar një marrëveshje të pazakontë: nëse deklarata për "1 në 50" rezulton e saktë, ai angazhohej t’i marrë të gjithë të burgosurit shqiptarë mbrapsht. Por nëse shifra rezulton të jetë thjesht propagandë tabloidesh, atëherë Farage do të merrte një ftesë për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi – për të parë “diellin e vërtetë, mikpritjen e vërtetë dhe faktet e vërteta”.

Në këtë replikë të parë, Rama nuk u mjaftua vetëm me ironinë, por solli edhe të dhëna të krahasuara, duke theksuar se krimi ndër shqiptarët në Britani nuk është më i lartë se ai i qytetarëve britanikë, madje në disa raste është më i ulët. Ai e lidh këtë perceptim negativ me një sistem vizash të tejkaluar dhe një diskurs që kërkon viktima për të ushqyer retorikën populiste.

Pas heshtjes fillestare, Farage nisi të lëkundej në qëndrimin e tij, duke lënë të kuptohej se ndoshta shifra "1 në 50" nuk ishte aq e saktë, madje duke përmendur mundësinë që të jetë “1 në 40” apo “1 në 30”, duke zhvendosur qëllimisht theksin nga saktësia e statistikës në narrativën e përgjithshme të frikës ndaj emigracionit.

Reagimi i dytë i Ramës erdhi po aq i fuqishëm dhe i artikuluar. Ai e çoi ironinë në një nivel tjetër, duke publikuar një foto të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku shfaqej bashkë me Farage në një plazh shqiptar, në një skenë imagjinare pushimesh. Por krahas humorit, ai goditi sërish me fakte.

“Censusi” i Farage-it për shqiptarët në Britani u cilësua qesharak. Rama citoi vetë burimin e përdorur nga Farage, gazetën “The Telegraph”, e cila në një korrigjim pasues pranoi se analizat e saj mund të kishin nënvlerësuar ndjeshëm numrin e shqiptarëve në Britani, që realisht mund të jetë mbi 140 mijë – duke e rrëzuar përfundimisht shifrën “1 në 50”.

Por kulmi i debatit u shënua në një intervistë që Nigel Farage dha për gazetarin Muhamed Veliu në “Top Channel”, ku vijoi të këmbëngulte se shifrat e tij janë të sakta, bazuar sipas tij në statistikat e Home Office. Farage tha se nuk kuptonte përse Rama i vinte në pikëpyetje këto të dhëna, ndërsa sërish u shpreh i gatshëm të vinte në Tiranë “për drekë”, nëse do të ftohej nga kryeministri shqiptar.

Në thelb, kjo përplasje nuk është një debat shifrash. Ajo është një përballje mes dy botëkuptimesh: njëri i rrënjosur në retorikën e frikës, ksenofobisë dhe politizimit të emigracionit; tjetri në mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe sfidën ndaj paragjykimeve të padrejta. Rama, përmes një komunikimi të artikuluar, modern dhe të drejtpërdrejtë, arriti të kthejë një sulm ndaj emigrantëve shqiptarë në një mundësi për të treguar një fytyrë tjetër të Shqipërisë – mikpritëse, bashkëpunuese dhe me dinjitet.

Rama vs. Farage. Lufta e Ftohtë për shqiptarët

Roli i tij në këtë debat ka qenë shumë më tepër sesa politik. Ai ndërhyri si zëri i një shteti që nuk pranon më të jetë pre e narrativave të vjetra që e trajtonin Shqipërinë si një vend të dorës së dytë. Replika e Ramës tregoi se Shqipëria jo vetëm që ka vend në diskursin ndërkombëtar, por është e gatshme të mbrojë qytetarët e saj kudo ku ata janë – me fakte, me dinjitet dhe me fjalën e duhur në momentin e duhur.

Ky debat, i ndjekur gjerësisht në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare, ka një rëndësi të veçantë për imazhin e shqiptarëve në emigracion. Ai konfirmon nevojën që institucionet shqiptare të jenë të zëshme, të guximshme dhe të pranishme sa herë që keqinformimi dhe stereotipet tentojnë të zënë vend në diskursin publik global.

Rama vs. Farage. Lufta e Ftohtë për shqiptarët

Në fund të ditës, ndoshta Farage nuk do të pranojë se ka gabuar. Por ai tashmë është ftuar në Shqipëri. Dhe nëse vjen, do ta ketë të vështirë të mos e shohë atë që Rama kërkon të tregojë: një komb që nuk është më viktimë e thjeshtë e paragjykimeve, por një komb që flet me zë të plotë për veten./L.F-dritare.net