Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Votat e pamerituara dënojnë PD-në, PS shton avantazhin në Fier!

Votat e pamerituara dënojnë PD-në, PS shton avantazhin në

Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë po vijon dita e dytë e rinumërimit për qarkun e Fierit, ku deri në orën 13:30 janë hapur 318 nga 587 kuti, ose rreth 54% e totalit. Procesi i rinumërimit, ashtu si në Tiranë, nuk ka sjellë lëvizje të mëdha në rezultatin përfundimtar, por ka nxjerrë në pah gabime të vogla në numërim – me Partinë Demokratike si partia me më shumë vota të pamerituara.

PD-së i janë zbritur 81 vota, ndërsa PS-së i janë shtuar 32 vota. Ky rezultat i përkohshëm i zbeh shpresat e Nismës “Shqipëria Bëhet”, që tenton të marrë mandatin e tetë në Fier. Azmer Duleviç i kësaj force ka nevojë për 519 vota shtesë për të hyrë në Kuvend, por deri tani jo vetëm që nuk i ka fituar ato, por i janë zbritur edhe 10 vota.

Përplasja për mandatin e PS mes Zegjine Çaushit dhe Maldrita Bardhos duket se është zgjidhur nga rinumërimi. Çaushit i janë shtuar 59 vota, ndërsa Bardhos i janë hequr 12 – duke e thelluar diferencën në favor të Çaushit.

Brenda PS-së, deputeti i sapozgjedhur Ceno Klosi rezulton humbësi më i madh nga rinumërimi, me 659 vota të pamerituara të zbritura – mbi 9% e totalit të votave të tij. Ndërkohë, Klevis Jahaj del si “i dëmtuari më i madh” nga numërimi fillestar, pasi nga rinumërimi i janë shtuar 295 vota (mbi 13%).

Në kampin demokrat, edhe pse nuk pritet ndryshim mandatesh për shkak të sistemit të listës së mbyllur, rezulton se Silva Hasaj ka humbur 600 vota dhe Gentian Çela 217.

Edhe partitë e vogla nuk kanë shpëtuar pa dëmtime: Lëvizja Bashkë humbet 8 vota, Djathtas për Zhvillim humbet 2, ndërsa Partisë Mundësia i shtohen 3 vota – një përmirësim simbolik, por domethënës për ta.

Procesi i rinumërimit pritet të përfundojë në ditët në vijim, por deri tani trendi favorizon Partinë Socialiste, ndërsa PD dhe kandidatët e pavarur përballen me shkurtime votash që mund të jenë vendimtare për ambiciet e tyre politike./L.F-dritare.net