
Rama thirrje të rinjve në Fier: Më 11 maj vota juaj ka brenda profecinë e Gjergj Kastriotit
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama takoi sot në Fier të rinjtë e qytetit. Rama u kërkoi të rinjve votën për PS-në më 11 maj. Rama u tha të rinjve se vota e 11 majit, ka brenda dhe profecinë e Gjergj Kastriotit dhe amanetin e rilindësve.
"Besoj që e keni parë që në këtë rrugëtim drejt 11 majit, ne jemi ndalur për të bërë takime të veçanta me vajzat dhe djemtë, duke filluar nga ata që votojnë për herë të parë. Sepse këto zgjedhje janë zgjedhjet më të rëndësishme prej shumë e shumë kohësh, pikërisht për votuesit e parë, pikërisht për të rejat dhe të rinjtë.
Çdo zgjedhje ka një rëndësi të veçantë për një komunitet, ka një rendësi të veçantë për mbarë vendin. Nuk ka zgjedhje të pa rëndësishme, por ama jo çdo zgjedhje ka peshën e përgjegjësisë, që nganjëherë fati të ve mbi supe kur ditën e zgjedhjeve bashkohen bashkë, edhe detyra për të zgjedhur një palë apo një individ, për të drejtuar një komunitet apo për të drejtuar vendin, edhe misioni për të çuar përpara vendin tënd, duke u takuar me historinë.
11 maji është një takim me historinë.
Sepse në 11 maj të gjithë votuesit e parë, të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, të gjithë të rejat, të gjithë të rinjtë me votën e tyre, do të vendosin për Shqipërinë me BE-në në Europë dhe për t’u bërë qytetarë të barabartë të Europës, duke marrë pasaportën europiane.
Tani ju që keni ardhur këtu është shumë e qartë që nuk keni nevojë për predikime, sepse ju e keni bërë zgjedhjen tuaj. Por është shumë e rëndësishme që ju që të gjithë së bashku, të ndjeni detyrimin që zgjedhjen tuaj ta ndani edhe me të tjerë, me shokë, shoqe, në klasë, në auditor, në lagje, në fshat, në qytet, sepse këto zgjedhje janë më shumë sesa zgjedhje për Partinë Socialiste.
Këto zgjedhje janë më shumë sesa zgjedhje për një mandat të 4-tërt të Partisë Socialiste.
Këto zgjedhje janë më shumë të ngjashme me zgjedhjet e viti 1992, kur një shumicë e madhe shqiptarësh dhe shqiptaresh u bashkuan dhe votuan asokohe Partinë Demokratike.
Jo se ishin të tërë me Partinë Demokratike, por sepse në atë moment, ishte koha, ishte edhe vendi i duhur, pra kutia e votimit që duke votuar për Partinë Demokratike shqiptarët të ndanin historinë e të shkuarës me historinë e së ardhmes.
Dhe me 11 maj duke votuar për Partinë Socialiste, ju dhe shumica dërrmuese e shqiptareve do të ndajnë pikërisht historinë e derisotme, me historinë që nis pas 11 majit dhe që së bashku ne do ta kthejmë në një histori të vendit tonë duke e anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Dua t’ju them edhe diçka tjetër, Partia Socialiste së paku flas për zgjedhjet dhe nuk janë një e dy, janë më shumë, 9 zgjedhje që ne kemi bërë me Partinë Socialiste dhe kemi fituar.
Ka qenë gjithmonë në një përpjekje për të dhënë përpara qytetarëve një skuadër sa më përfaqësuese. Por si asnjëherë më parë, Partia Socialiste nuk ka pasur dhe sot ka një skuadër që është një skuadër më e reja në fletën e votimit.
Dhe këtu në qarkun e Fierit, një vajzë dhe një djalë që vijnë drejtpërdrejt nga radhët tuaja, nuk janë në listën e deputetëve, por janë tanimë 2 deputetë të rinisë së qarkut të Fierit në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nga ana tjetër në listën ku ju do të bëni zgjedhjen tuaj janë të tjerë vajza dhe djem që përsëri vijnë nga gjiri juaj.
Asnjëherë më parë, Partia Socialiste nuk ka kërkuar, siç e kërkon në 11 maj mbështetjen, angazhimin, fuqinë e bashkuar të të rinjve, jo si socialistë dhe demokratë, por si shqiptarë europianë, të gjithë së bashku.
Cilido dhe cilado që do të vijë me ju në 11 maj në kutinë e votimit dhe së bashku me ju, do të zgjedhë Partinë Socialiste, duke e vënë votën drejt në qendër të fletës, as majtas, as djathtas, po drejt në qendër, do ta kujtoj 11 majin, si ditën kur dha një dorë me votën e vet për Shqipërinë, zonjë, në shtëpinë e familjes së përbashkët europiane.
Vota e 11 majit është më shumë sesa vota sot për nesër. Vota e 11 majit ka brenda edhe profecinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, ka brenda edhe amanetin e rilindësve, ka brenda edhe të gjitha vuajtjet, të gjitha sakrificat, të gjitha torturat e prindërve të gjeneratës suaj në emigracion, ka brenda e të gjitha ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve për ta parë veten një ditë europian të barabartë mes europianësh.", tha Rama./K.C/dritare.net

















