Kryeministri Rama për Die Presse: Reformat i bëjmë për Shqipërinë, jo për BE-në!
Dritare.net

Në një intervistë për podcastin “East Side Stories” të mediave austriake Die Presse, kryeministri Edi Rama riafirmoi objektivin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030. I pyetur nga gazetari Thomas Seifert, ai theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Evropën.
“Është jashtëzakonisht e veçantë në historinë e Bashkimit Evropian të kemi këtë realitet gjeopolitik: dy lloje kufijsh, një kufi i jashtëm dhe një kufi i brendshëm. Në këtë rast, kufiri i brendshëm është Ballkani Perëndimor. Për arsye sigurie, për unitetin dhe koalicionin e Evropës, është e qartë, të paktën për mua, se nuk ka alternativë tjetër veçse integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, u shpreh Rama.
Kryeministri komentoi gjithashtu pengesat e hasura më parë nga disa shtete anëtare, por theksoi se situata aktuale brenda Unionit ka ndryshuar. Ai shtoi se për Shqipërinë në këtë fazë nuk ekzistojnë rreziqe të mëdha, megjithatë vendi duhet të vazhdojë përpjekjet. Rama theksoi se reformat nuk bëhen thjesht për të kënaqur BE-në, por për të bërë vendin më evropian dhe më demokratik.
“Nuk e bëjmë këtë ‘detyrë shtëpie’ për të kënaqur Bashkimin Evropian. E bëjmë për të transformuar Shqipërinë, për ta bërë më evropiane, më demokratike, më të bazuar te institucionet dhe jo te individët. Bashkimi Evropian është i vetmi që ka këtë njohuri të veçantë për ndërtimin e institucioneve. Shihni shembuj si Afganistani apo Iraku – ata nuk kanë pasur këtë perspektivë dhe nuk mund të mësojnë dot ndërtimin e institucioneve nga askush tjetër”, shtoi Rama.
Rama foli edhe për reformën në drejtësi, duke theksuar nevojën për të mos cenuar pavarësinë e saj. Ai pranoi se institucionet mund të bëjnë gabime, por theksoi se duhet bërë çdo përpjekje për të mbrojtur autonominë e tyre. Ky koment erdhi ndërkohë që Belinda Balluku është përballur me drejtësinë dhe është pezulluar nga detyra e zëvendëskryeministres dhe ministres.
“Ne duhet të ndërtojmë mekanizma drejtësie që të provojnë pavarësinë e tyre përmes hetimeve dhe vendimeve, pa marrë parasysh nga cili drejtim vjen çështja. Nuk është gjithmonë e këndshme; është e vështirë dhe e dhimbshme, por kjo është rruga e vetme. A janë perfekte? Jo. Bëjnë gabime? Po. Por në fund, duhet të bëjmë gjithçka që të mos cenohet pavarësia që u kemi dhënë”, tha ai.
Për marrëdhëniet ndërkombëtare, Rama theksoi se Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk mund të zgjedhë me luks. Duke folur për Rusinë, ai kujtoi historinë e ndarjes që daton nga vitet 1960 dhe tha se nuk e ndjen mungesën e saj.
“Jemi të vegjël për të zgjedhur, ndaj duhet të flasim me të gjithë dhe të kuptojmë situatën e secilit. Marrëdhënia jonë me Rusinë është shumë e veçantë për shkak të historisë. U ndamë në vitin 1960 për të ruajtur Stalinin, dhe kjo krijoi pakënaqësi të madhe. Për 35 vjet nuk kemi pasur vizita reciproke, dhe sinqerisht, nuk na mungon”, tha ai.
Rama dha edhe një mesazh për BE-në: ajo duhet të flasë direkt me Rusinë dhe të mos ia delegojë politikën e saj të jashtme Uashingtonit, pasi Moska është fqinj i Unionit, jo i Shteteve të Bashkuara.
“Bashkimi Evropian duhet të flasë vetë me Rusinë dhe të mos vazhdojë t’i delegojë vendimet e politikës së jashtme. Në fund të fundit, Rusia është fqinj i BE-së dhe me fqinjët duhet të flasësh drejtpërdrejt”, përfundoi Rama./K.C/dritare.net