Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama nuk i ndahet kryebashkiakut të Vlorës: Ndërtimi 500 metra mbi kokën e Ermal Dredhës!

Rama nuk i ndahet kryebashkiakut të Vlorës: Ndërtimi 500 metra

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar kritika të ashpra ndaj kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, për një ndërtim të paligjshëm në një zonë të gjelbëruar pranë qytetit.

Duke folur për kontrollin mbi territorin, Rama u shpreh i indinjuar se si është e mundur që një ndërtim i tillë të ndodhë në mënyrë të hapur, pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet lokale.

“Si mundet të ngrihet njëri dhe të marrë fadromën dhe të hapë 500 metra në kodër, kodra atje gjithë e gjelbëruar, e hap njëri pa leje mbi kokën e Ermal Dredhës? 500 metra në shkëmb dhe policia nuk di asgjë? Kjo nuk është e mundur,” tha Rama.

Kryeministri kërkoi që respektimi i lejeve të ndërtimit, pastërtia e territorit dhe pamundësia për të ndërtuar pa leje të bëhen pjesë e detyrës së përditshme të bashkive dhe strukturave të tyre.

Ai shtoi se nëse një kryetar bashkie nuk e di çfarë po ndodh në qytetin e tij, kjo është e pafalshme.

“Nëse një kryetar, qoftë edhe i qytetit më të madh të Shqipërisë, nuk di çfarë po ndërtohet në qytet, nuk ka justifikim. Duhet të dijë, sepse e dinë të gjithë, nga njësitë administrative e lart,” shtoi ai.

Në fund, Rama paralajmëroi se të hënën priten shkarkime në nivel njësish administrative, duke shprehur hapur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si po funksionojnë disa hallka të administratës vendore./E.P-dritare.net